Inspektorët e tregut në terren, për të parë nëse tregtarët kanë ulur marzhat

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Shtator, 2024 20:48

Inspektorët e tregut në terren, për të parë nëse tregtarët kanë ulur marzhat

Mbi 120 inspektorë nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, kanë dalë në terren për kontrollimin e respektimit të masës së Qeverisë nga ana e tregtarëve, për kufizimin e marzhës më të lartë tregtare apo fitues për pajisjet shkollore në 5 për qind për shitje me shumicë dhe 10 për qind me pakicë.

“Inspektorati Shtetëror i Tregut është në terren në të gjithë territorin e vendit. Kanë dalë plotë 120 inspektorë, të cilët kontrollojnë tregtarët me pakicë, se vallë po e respektojnë vendimin e Qeverisë. Për numrat e saktë se sa inspektime janë bërë dhe sa tregtarë nuk kanë respektuar vendimin e Qeverisë, mund t’ju them gjatë ditës së nesërme apo më së largu të shtunën, sepse hapësira e kontrollimeve është e madhe, por edhe lista e produkteve është e gjatë, sepse përfshihen më shumë se 26 produkte. Por, këtu nuk do të kemi kurrfarë kompromisi, sepse bëhet fjalë për standardin e qytetarëve, prandaj apeloj që të respektohet kjo masë. Vetëm në Shkup do të jenë 45 inspektorate, të cilët do të punojnë në dy ndërrime apo deri në orët e vona.”, – deklaroi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski.

Inspektimit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut u ka dhënë mbështetje edhe ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, i cili theksoi se është i gatshëm që edhe ai së bashku me inspektorët të dalë në terren, dhe u bëri apel tregtarëve që ta respektojnë këtë vendim të Qeverisë.

“Menjëherë sot e kam në agjendë që t’i takoj inspektorët dhe do ta shoh nga afër se si qëndron puna, nëse hasin në kompani, të cilat nuk e respektojnë vendimin e Qeverisë, i cili ishte propozim nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, do të kërkoj që të jenë më tepër në terren, e po që se ka nevojë do të dal edhe unë së bashku me ekipin tim që t’i kontrollojmë dhe të respektohet kjo masë.”, – theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.

Inspektorati Shtetëror i Tregut apelon qytetarët, që nëse vërejnë fryrje të çmimeve, ta informojnë inspektoratin shtetëror në numrat e telefonit 191 apo në ueb faqen www.dpi.gov.mk. Marzha më e lartë tregtar fitues i përcaktuar nga Qeveria do të zbatohet deri më 20 tetor të këtij viti.

Në rast se konstatohet shkelje e vendimit, IShT-ja paralajmëron se do të vijojnë gjoba që dalin nga Ligji i Tregtisë dhe këto gjoba variojnë nga 800 deri në 10 mijë euro.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Shtator, 2024 20:48