Nxënësit deklarohen si rom për t’u regjistruar në paralelet shqipe

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Shtator, 2024 19:44

Nxënësit deklarohen si rom për t’u regjistruar në paralelet shqipe

Në shkollën e mesme të mjekësisë janë hasur rreth 30 raste të këtilla, por sipas informatave, më pas këta nxënës janë bërë pishman dhe i kanë tërhequr dokumentet. Drejtori o shkollës së mesme të mjekësisë, Binas Pajaziti, nuk ka dashur që të deklarohet për këtë fenomen

Për tu regjistruar në shkollë të mesme, nxënësit kryesisht të përkatësisë etnike shqiptare përmes një deklarate të noterizuar janë deklaruar si rom. Ky fenomen në nivel të shtetit, është hasur edhe në shkollat e mesme të Tetovës, pjesërisht në shkollën e mesme të mjekësisë ku edhe ka interesim më të madh të nxënësve për të vijuar arsimin e mesëm. Pasi që nuk kanë mundur të përmbushin kuotat e regjistrimit, nxënësit kanë gjetur një zbrazëtirë ligjore që me një deklaratë në noter të deklarohen si rom.

Në ndërkohë, nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës janë shprehur se ky fenomen është i pranishëm në tërë shtetin, njëjtë sikurse në të kaluarën, maqedonasit e përdornin përkatësinë etnike shqiptare për t`u punësuar, sot këtë mundësi ligjore e shfrytëzojnë nxënësit shqiptarë që të regjistrohen në shkollë të mesme, sepse, deklarimi si rom, ka beneficione, përkatësisht me automatizëm nxënësi ka dhjetë pikë më shumë në kuotën e përgjithshme.

“Është vendim qeveritar që nxënësit me përkatësi rome, përveç pikëve që ju mblidhen nga suksesi që kanë arritur nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë kanë pasur një favor prej 10 për qind që të regjistrohen në shkollat e mjekësisë në nivel të shtetit. Këtu ka patur një keqpërdorim nga ana e nxënësve duke u deklaruar me përkatësi rome dhe maqedonase, pasi që tek paralelet me mësim në gjuhën maqedonase nuk ka numër të mjaftueshëm për të përmbushur të gjitha paralelet. Në këtë mënyrë ata kanë tentuar që të regjistrohen në shkollën e mesme të mjekësisë. Në terren ka qenë edhe inspektorati komunal për arsim, ku të njëjtit kanë konstatuar këtë veprim të nxënësve ku me një deklaratë të noterizuar dhe inspektorati, të gjithë ata nxënës që janë regjistruar ose kanë qenë në pritje të mos ndoshta edhe me më pak pikë se sa është paraparë kriteriumi do të regjistrohen janë kthyer ata dokumentacioni”, deklaroi Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës.

Nxënësit që kanë dorëzuar deklaratë kanë qenë të mbuluar ligjërisht, thonë nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës. Prandaj, kërkohet që të bëhen ndryshime ligjore që të mos ketë keqpërdorime të përkatësisë etnike. Konkretisht, në shkollat e mesme nuk ka paralele me mësim në gjuhën rome, dhe ata mësojnë ose në gjuhën shqipe, maqedonase ose turke. “Ne nuk jemi kompetent që të ndalojmë këtë mundësi që e jep ligji, as si sektor, as si komunë apo si shkollë sepse kjo është në nivel të shtetit dhe kjo dukuri mund të parandalohet vetëm me ligj”, tha Dauti.

Në shkollën e mesme të mjekësisë janë hasur rreth 30 raste të këtilla, por sipas informatave më pas këta nxënës janë bërë pishman dhe I kanë tërhequr dokumentet. Drejtori i shkollës së mesme të mjekësisë Binas Pajaziti, nuk ka dashur që të deklarohet për këtë fenomen. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Shtator, 2024 19:44