Sotilkoviq e siguron Serbinë se Korridori 10 është prioritet i Qeverisë së Maqedonisë

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Shtator, 2024 14:44

Sotilkoviq e siguron Serbinë se Korridori 10 është prioritet i Qeverisë së Maqedonisë

Përkushtimi i Qeverisë së Maqedonisë është për ndërtimin e të gjitha korridoreve, por rëndësi e veçantë do t’i kushtohet Korridorit 10 (Shkup-Beograd-Budapest) i vlerësuar nga Qeveria e VMRO-së si ekonomikisht më fitimprurës.

Kështu në Beograd ka theksuar zëvendëskryeministri dhe ministri për Sistem Politik, Ivan Stoilkoviq, gjatë takimit me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, shkruan gazeta KOHA.

“Fokusi do të jetë edhe në zhvillimin e hekurudhës dhe në këtë kontekst, ndërtimi i hekurudhës së shpejtë nga Shkupi në Selanik. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që ekonomia të ndjekë marrëdhëniet e shkëlqyera politike, duke theksuar se në këtë qeveri maqedonase, për herë të parë që nga viti 1944, një përfaqësues i popullit serb në Maqedoni u zgjodh në një post të lartë qeveritar”, thuhet në njoftimin e kabinetit të zëvendëskryeministrit Stoilkoviq.

Në ndërkohë, Stoilkoviq, kryeministrit serb Vuçeviq ia ka përcjell ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për të vizituar Shkupin, ndërsa janë marrë vesh që vizita të ndodhë në fund të këtij muaji.

Në fokus të bisedimeve, siç thuhet në njoftim, ishte edhe iniciativa për mbajtjen e takimeve ndërqeveritare ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe Serbisë, të cilat sipas njoftimit, duhet të gjurmojnë mundësi të reja për përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe mundësi për bashkëpunim të përbashkët me tregjet e treta. 

Stoilkoviq thotë gjithashtu se me kryeministrin serb Vuçeviq ka biseduar edhe për intensifikimin dhe promovimin e aktiviteteve lidhur me procesin e Ballkanit të Hapur. 

“Jemi dakord që duke intensifikuar bashkëpunimin ekonomik, ne kontribuojmë për paqen dhe stabilitetin rajonal. Është një mundësi për të krijuar interesa dhe stimuj të përbashkët për vendet tona për të punuar së bashku, përmes bashkëpunimeve të biznesit, shkëmbimeve akademike dhe ndërveprimeve kulturore. Intensifikimi i takimeve të nivelit të lartë do të jetë një tregues se fokusi ynë është integrimi ekonomik jo vetëm i Serbisë dhe Maqedonisë, por i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Stoilkoviq.

Ndryshe, në vizitë zyrtare në Serbi, përveç Stoilkoviqit, i pranishlm ishte edhe ministri për Transport dhe Lidhje, Aleksandar Nikoloski dhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. (koha.mk)

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Shtator, 2024 14:44