VLEN lëvdohet për qeverisjen, BDI e akuzon për vazalitet dhe pa legjitimitet!

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Shtator, 2024 14:14 Përditësuar

VLEN lëvdohet për qeverisjen, BDI e akuzon për vazalitet dhe pa legjitimitet!

Koalicioni VLEN mblodhi të gjithë liderët, ministrat, zëvendësministrat, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët që përbëjnë pushtetin ekzekutiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nëpërmjet një kumtese, nga VLEN kanë bërë të ditur qëllimin e koordinimit.

“Ky takim shënon një moment të rëndësishëm për të ardhmen e të shërbyerit në interest ë qytetarëve me ndershmëri, llogaridhënie dhe përkushtim. Në këtë takim, diskutuam për investimin prej 34.5 milionë eurosh për “Universitetin Nënë Tereza” në Shkup, që paraqet një hap të rëndësishëm për përmirësimin e sistemit arsimor dhe rritjen e mundësive për studentët tanë.

Kјо është një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj zhvillimit të arsimit dhe krijimit të kushteve më të mira për të rinjtë. Gjithashtu, ripotencuam se zotimet tona ndaj qytetarëve janë: qeverisje efektive, transparencë dhe luftë e ashpër kundër korrupsionit. Këto parime do të jenë baza e çdo veprimi tonë në Qeveri dhe do të jenë udhërrëfyesit tanë kryesorë. Veçanërisht angazhohemi për rrugën evropiane të shtetit dhe do të punojmë për anëtarësimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesë.

Nga Koalicioni qeverisës premtojnë se mbeten të përkushtuar për realizimin e vizionit për integrim të vendit në Bashkimin Evropian, për zbatimin e reformave dhe për krijimin e institucioneve të forta në mbrojtje të interesave të qytetarëve.

“Vizioni për integrimin në Bashkimin Evropian është kyç për të ardhmen dhe zhvillimin tonë, dhe ne jemi të përkushtuar për zbatimin e reformave që do të avancojnë pozicionin tonë në rajon dhe më gjerë. Pas sjelljes agresive dhe shkatërruese ndaj institucioneve nga ana e BDI-së dhe satelitëve të tyre, theksojmë rëndësinë e krijimit të institucioneve të forta dhe të pavarura që do të shërbejnë si garant për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe për përmirësimin e jetës së tyre të përditshme.

Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem që do të jetë i përgjegjshëm dhe i besueshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë për një Qeveri që është e përkushtuar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe që respekton parimet e demokracisë dhe llogaridhënies.

VLEN është këtu për të sjellë ndryshimin e shumëpritur dhe për t’u dhënë qytetarëve atë që meritojnë: një qeveri që punon për ta dhe me ta. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të na bashkohen në misionin tonë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë dhe më të ndritshme për vendin tonë”, thuhet më tej në kumtesë.

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtesë ka akuzuar koalicionin VLEN se po tenton të shfuqizojnë ligjin për gjuhën shqipe.

Kjo parti politike në Maqedoni të Veriut, thekson se VLEN në çdo paraqitje mediatike flasin gënjeshtra paturpësisht, në çdo veprim bëjnë gabim.

“Në kaq pak kohë pushtet, Izeti dhe VLEN-i vazhdojnë të rrënojnë çdo të arritur për shqiptarët. Dje, Izeti kërkoi llogari nga BDI se pse e kemi pranuar Ligjin e shqipes kështu siç është?! Izeti e di përgjigjen, sepse vet ai i priu grupit negociator nga BDI me LSDM dhe e ka prezentuar Ligjin në Kryesi të partisë, edhe atë në formë dukshëm më të dobët se sa ligjin që u miratua në vitin 2019. Po atë ligj, Taravari pretendon se ai e ka sjellë, në shumë deklarata publike, edhe pse në Qeveri nuk e ka hapur gojën kur është miratuar ligji”, thuhet në kumtesë.

Sipas BDI-së, ‘Izeti dhe VLEN-i si vazal dhe pa legjitimitet, janë shndërruar tashmë në mbrojtës dhe promotor të denjë të politikave anti-shqiptare të VMRO-DPMNE-së dhe çdo sulm ndaj shqiptarëve mundohen ta relativizojnë dhe ta tërheqin vëmendjen te BDI dhe Fronti Evropian’.

“Kështu ndodhi edhe me emërimin e Stoilkoviqit të Putinit për ministër të Marrëveshjes së Ohrit, heqjen e Balancuesit, ndërprerjen e punimeve në Korridorin 8, me nënçmimin e presidentes së Republikës së Kosovës, me tentimin për ekstradimin në Serbi të ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani… e deri me përgatitjen e terrenit për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, thekson BDI.

Shqiptarët, thekson BDI, po poshtërohen dhe nënçmohen nga shërbëtorët e VMRO-DPMNE-së dhe po kthehen 30 vjet pas me të drejtat e tyre si qytetarë të rendit të dytë.

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Shtator, 2024 14:14 Përditësuar