Zjarret në vend, janë shuar 33 zjarre, 6 janë ende aktive

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Shtator, 2024 20:46

Zjarret në vend, janë shuar 33 zjarre, 6 janë ende aktive

Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend. Brenda 24 orëve të fundit në tërë territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 40 zjarre aktive në ambiente të hapura. Prej tyre, 33 janë shuar tërësisht, një është duke u mbajtur nën kontroll, ndërsa 6 të tjerë rezultojnë të jenë aktive edhe gjatë ditës së enjte.

Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, policisë dhe punonjësve komunal, nga ajri dhe toka po punojnë për t’i lokalizuar vatrat në komunën e Çashkës, Prilepit, Petrovecit, respektivisht në Katlanovë, Shtipit, Çuçer Sandevë dhe Dollnen ku aktualisht është duke u djegur bimësi me kërcell të ulët, bar i thatë dhe pyje me pisha.

“Kemi akoma disa zjarre aktive, prej të cilave më serioze janë në Prilep, zjarr i cili u përhap në sipërfaqe më të madhe, ku vetëm gjatë ditës së djeshme u kyçën rreth 200 forca tokësore dhe ndihmë nga ajri. Edhe gjatë ditës së sotme kemi mbi 150 forca në terren, të cilët tentojnë ta vënë nën kontroll zjarrin dhe më pas ta shuajnë në tërësi, mirëpo është shumë vështirë, pasi që na thanë se zjarri në afërsi të fshatit Sellcë në Prilep është shpërndarë edhe në territorin e Velesit, ku aty veç më patëm një zjarr aktiv dhe tani me siguri do të vijë deri në bashkimin e këtyre dy vatrave. Ekipet janë të terren dhe bëjnë çmos për t’i parandaluar zjarret të përhapen në fshatrat përreth.”, – deklaroi zëvendësdrejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë”, Kire Mihaelov.

“Situata është kritike në fshatin Krushevicë, pasi që është i rrezikuar nga dy vatra të mëdha të zjarrit. Aty kemi dërguar ekipe të shumta, ndodhet edhe armata e cila me 50 ushtarët e saj dhe forcave policore janë duke tentuar t’i vënë nën kontroll zjarret.”, – theksoi shefi i Shtabit të Krizës, Irena Sterjovska Lokvanec.

Paralelisht me luftën kundër stuhive të mëdha me zjarret, autoritetet e NP “Pyjet e Maqedonisë” luftojnë për të parandaluar prerjen ilegale të drunjve nëpër pyje.

“Kemi iniciuar procedura disiplinore ndaj disa të punësuarve, ku dy prej tyre i kemi suspenduar nga puna dhe njëherit ia kemi anuluar një kontratë pune me një kompani private, e cila sipas informacioneve tona ka rezultuar se kompania në fjalë është përfshirë në disa veprime kriminale.”, – theksoi zëvendësdrejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë”, Kire Mihaelov.

Vendi ynë tashmë pothuajse tre muaj është i përfshirë nga zjarret masive për çdo ditë. Pas përfundimit të gjendjes së krizës më 12 shtator, autoritetet e QMK-së kanë bërë të ditur se do të shpallin edhe përllogaritjet, sa i përket dëmet e shkaktuara nga zjarret masive që kapluan vendin. (TVM2)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Shtator, 2024 20:46