Biznese të fshehta, “përplasje” midis LSDM-së dhe VMRO – DPMNE-së

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 6 Shtator, 2024 21:55

Biznese të fshehta, “përplasje” midis LSDM-së dhe VMRO – DPMNE-së

Skemë e kompanive sekrete dhe qarkullim të miliona eurove, të familjarëve të kryeministrit Hristijan Mickoski në Bullgari, shpalosën socialdemokratët. Sipas zëdhënëses, Bogdanka Kuzeska, në qytetin bullgar Petriq, adresa “Anton Popov”, 57 janë regjistruar ndërmarrjet “Dano Trans”, në emër të baxhanakut të Mickoskit, Jordanço Janev, si dhe “Infiniti Transport Grup”, ndërmarrje e kushëririt të tij.

“Janevi, i cili shquhet si njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Mickoskit, midis tjerash edhe në lidhje familjare me kryeministrin, ka rrotulluar para nëpërmjet kësaj ndërmarrje. Deri në 3 milionë levë bullgarë janë rrotulluar nga kjo ndërmarrje në Bullgari në vitin 2018-të rreth 1.5 milion euro.”, – deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Socialdemokratët kërkuan nga kryeministri të përgjigjet se ku kanë përfunduar paratë ose do të dalin me informacione të tjera. Nga partia e Mickoskit i vlerësuan si të pavërteta pretendimet e tilla. Zëdhënësja, Marija Miteva, me kundërakuza se vëllezërit e Venko Filipçes dhe Zoran Zaevit nëpërmjet planifikimit të shpejtë bëhen pronarë të elektranës solare “Fos Imeras”, në 500 metra vijë ajrore larg kufirit me Greqinë dhe të ardhura vjetore prej katër milionë euro.

“Vice Zaev dhe Nikolla Filipçe kanë fluturuar në procedura. Lejen për ndërtim e marrin për tre ditë, në vend të 15 ditëve. Kërkesa është dorëzuar më 20 qershor, ndërkaq vendimi është dhënë më 23 qershor të vitit 2023. Pasi Nikolla Filipçe ka përfunduar procedurat burokratike, ndërmarrja e Vice Zaevit ka blerë gjysmën e parcelës, ndërkaq më 25 dhjetor të vitit të kaluar, Zaevi dhe Filipçe në Shkup kanë themeluar ndërmarrjen “Fos Imeras”, e cila në një afat tejet të shkurtër ndërton centralin.”, – theksoi zëdhënësja e VMRO – DPMNE-së, Marija Miteva.

LSDM-ja ka përgënjeshtruar akuzat e tilla duke thënë se qëllimi i VMRO-DPMNE-së është fshehja e bizneseve të njerëzve të afërt të Mickoskit në Bullgari, por edhe Maqedoni.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 6 Shtator, 2024 21:55