Memoriali i munguar i Nënë Terezës

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 6 Shtator, 2024 20:49

Memoriali i munguar i Nënë Terezës

Dje, në 8-vjetorin e shënjtërimit të nënë Terezës, m’u kujtua që 2-3 vjet të shkuar qarkulloi lajmi se do të ndërtohej një memorial.

Mbaj mend se më pat pëlqyer sidomos fakti që vepra e premtuar do të konceptohej jo thjesht si vlerë arkitektonike, por si vend pelegrinazhi e meditimi. I vendosur në kodrat juglindore të kryeqytetit, larg zhurmës së metropolit, mes qetësisë së natyrës dhe pranisë së qiellit, do t’i grishte vizitorët të reflektonin për thelbin humanist të trashëgimisë së nënë Terezës.

Kanë kaluar dy a më shumë vjet dhe gjurmë memoriali s’po duket, as në kodrat e liqenit e as në … lajme. Punët e mira bëhen avash avash, kurse të mirat fare s’bëhen fare, ironizonte i lashti.

Bëj pjesë në ata që mendojnë se, si shoqëri nuk para kemi ditur ta mirëpërdorim faktin që shenjtorja me famë botërore është shqiptare në origjinë. Madje jo rrallë e përdorim avdallçe.

Të rrahësh gjoksin dhe të mburresh se është shqiptare, do të thotë të nëpërkëmbësh përvuajturinë dhe modestinë që janë ndër tiparet kryesore të trashëgimisë së saj. Me një fjalë ta bësh si ai i proverbit që u nis të vinte vetulla dhe nxori sytë.

Edhe diçka tjetër: kjo trashëgimi është thellësisht shpirtërore, kurse ne përpiqemi ta përjetësojmë kryesisht në objekte materiale si shtatore, logo, koncerte etj.

Jetësimi funksional i kësaj trashëgimie kërkon rritjen e ndjeshmerisë ndaj të varfërve, ndaj njerëzve në nevojë si dhe vitalizimin e kulturës së bamirësisë, që e kemi aq të mangët.

Kur tjetri mëson se në Shqipëri jo rrallë dhunohen gratë dhe fëmijët, se një pjesë e mbështetjes për të varfërit përdoret për qëllime elektorale etj. etj, i percepton si përralla me mbret gjithë narrativat me temë “Nënë Tereza – gjak shqiptar”.

Meqë jetojmë në një kohë që nxit shpërqëndrimin dhe mbetjen në sipërfaqen e gjërave, na duhen më shumë përpjekje për meditim e reflektim, për t’i ikur absolutizimit të konsumit dhe për t’iu afruar sadokudo shpirtërores.

(Nga cikli ‘Katakombet e kombit’)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 6 Shtator, 2024 20:49