Mucunski për vizitë në Budapest, Sijarto: Zgjerimi i BE-së me Ballkanin të jetë real

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 6 Shtator, 2024 21:50

Mucunski për vizitë në Budapest, Sijarto: Zgjerimi i BE-së me Ballkanin të jetë real

Partnerët evropianë të ndalen me praktikën e vjetër dhe të angazhohen realisht për zgjerimin, ka thënë ministri i Jashtëm hungarez, Peter Sijarto. Kryediplomatin e vendit, Timço Mucunski, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Budapest, e ka siguruar se Hungaria do të bëjë çmos brenda fuqisë së saj, që gjatë kryesimit të saj me BE-në të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare mes RMV-së dhe Unionit dhe të fillojë me hapjen e klasterit të parë.

“Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin, ndoshta Evropa ka më shumë nevojë për Ballkanin se Ballkani për të. Pra, Evropës i duhet shumë energji dhe energjia e re mund të vijë nga Evropa Juglindore, sepse zhvillimi i shpejtë i këtyre vendeve mund të mbulojë disa zbrazëtira nga të cilat vuajmë ne në Bashkimin Evropian. Po ashtu në BE ka edhe shumë hipokrizi, sepse përderisa të gjithë publikisht flasin për zgjerimin, njëkohësisht pas dyerve të mbyllura po të njëjtit shprehen kundër zgjerimit. Po të mos ishte kjo e vërtetë, të kishte sinqeritet, as RMV-ja nuk do të gjendej në këtë situatë, ku edhe pas 20 viteve vend kandidat, akoma nuk ka arritur brenda BE-së.”, – deklaroi ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Sijarto.

Procesi eurointegrues, Mucunski: Të hiqen barrierat joparimore

Ministri i Jashtëm, Mucunski, kërkon që në procesin eurointegrues të hiqen barrierat që nuk janë parime dhe kushte të Bashkimit Evropian. Përmendi edhe reformat me të cilat po ballafaqohet ekzekutivi i ri. Mucunski, duke e quajtur Hungarinë përkrahës të fuqishëm të perspektivës së vendit në fusha të ndryshme, tha se do të vazhdojë thellimi i bashkëpunimit ndërshtetëror.

“Duhet të flasim hapur për padrejtësitë që ndodhin, jo vetëm ndaj vendit tonë, por ndonjëherë edhe ndaj tërë rajonit, nga fuqizimi i biletaralizimit të procesit, bilateralizim, i cili në asnjë mënyrë nuk është i ndërlidhur me standardet më të larta të BE-së, të cilat vlerësojmë se duhet t’i arrijmë. Ne kemi sfida të brendshme shumë serioze me të cilat Qeveria e re duhet të ballafaqohet: luftimi i korrupsionit, sundimi i ligjit, krijimi i dinamikës së fuqishme ekonomike.”, – theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.

Në kuadër të vizitës së tij në Budapest, Mucunski ka takuar edhe zëvendëskryetarin e Kuvendit hungarez, Ishtvan Jakab, kryetarin e grupit për miqësi në Hungari, ndërkaq ka mbajtur edhe ligjërata para studentëve në akademinë diplomatike të Hungarisë.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 6 Shtator, 2024 21:50