Mungesë kuadri dhe interesim i ulët për shkencat natyrore

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 13 Shtator, 2024 19:37

Mungesë kuadri dhe interesim i ulët për shkencat natyrore

“Është e qartë tashmë se studentët fokusin e kanë larguar nga shkencat natyrore si Fizika, Biologjia, Matematika e Kimia. Arsyeja tashmë dihet, janë pagat e ulëta, me aq pagë sa marrin këta profesorë, asnjë i ri nuk mund ta mbaj familjen në të ardhmen”, tha Avzi Mustafa, ndërsa fajëson Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) se nuk ka asnjë Strategji për t’i motivuar maturantët që të studiojnë shkencat natyrore, duke u ofruar atyre, për shembull, studime krejtësisht falas dhe bursa më të mira për shkencat natyrore

 Viteve të fundit, shkollat fillore dhe të mesme përballen me mungesë të mësimdhënësve në lëndët e Matematikës, Fizikës, Biologjisë dhe Kimisë. E gjitha kjo si pasojë e uljes së dukshme të numrit të studentëve për të studiuar këto drejtime. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), numri i studentëve të diplomuar në matematikë dhe shkenca tjera natyrore ka rënë ndjeshëm. Kjo ka ndikuar që shkollat fillore dhe të mesme të kenë mungesë të mësimdhënëseve për këto lëmi. Profesori universitar, Avzi Mustafa, thotë për gazetën KOHA se gjersa kuadri po pensionohet, studentët po orientohen në fusha të ndryshme më fitimprurëse dhe “në trend”, duke i lënë mbrapa shkencat natyrore.

“Është e qartë tashmë se studentët fokusin e kanë larguar nga shkencat natyrore si Fizika, Biologjia, Matematika e Kimia. Arsyeja tashmë dihet, janë pagat e ulëta, me aq pagë sa marrin këta profesorë, asnjë i ri nuk mund ta mbaj familjen në të ardhmen”, tha Mustafa, ndërsa fajëson Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) se nuk ka asnjë Strategji për t’i motivuar maturantët që të studiojnë shkencat natyrore, duke u ofruar atyre, për shembull, studime krejtësisht falas dhe bursa më të mira për shkencat natyrore.

“Zgjidhja e vetme gjendet tek MASH-i, ata duhet të gjejnë mekanizma për ti motivuar nxënësit. Nxënësit që zgjedhin të studiojnë shkencat natyrore, duhet të jenë të liruar nga pagesat e shkollimit, madje edhe të marrin bursa të veçanta posaçërisht për ta. Por, në mungesë të stimulimeve dhe duke e ditur se pagat në arsim janë të ulëta, ata dekurajohen!. Është e dhimbshme të shohësh që lëndën e Matematikës e mban një profesor i artit, apo një historian – kjo nuk është aspak në rregull. Më shqetëson se si MASH-i nuk reagon dhe nuk interesohet për këtë problematikë shumë të madhe”, thotë Mustafa, ndërsa bën thirrje tek profesorët e shkollave të mesme që t’u shpjegojnë nxënësve se shkencat natyrore si Matematika, Fizika, Biologjia e Kimia janë vërtetë pasuri e mendjes.

Arsye tjetër që nxënësit i ikin studimeve të shkencave natyre është edhe dëshira për të arritur më lehtë deri suksese. Po zgjedhin rrugët më të lehta dhe nuk po sakrifikojnë aq shumë nga vetja. Për ta, këto lëndë siç duket janë “lëndë të vjetruara dhe jashtë mode”, ndërkohë që kërkojnë shumë mund.

Studentja e vitit të parë, Sara Amziu, thotë për gazetën KOHA se pavarësisht se ishte e talentuar në Matematikë, megjithatë ajo zgjodhi arkitekturën. Madje, sipas saj, lënda si Matematika po zëvendësohet me shkencat kompjuterike.

“Unë zgjodha Arkitekturën, nuk pres të punësohem menjëherë, sepse kam familjarë që po presin me vite për një vend pune. Mirëpo, me këtë drejtim do mund të fitoj edhe pa qenë e punësuar dhe pa pasur nevojën e institucioneve. Sa i përket Matematikës, është lënda ime e preferuar, mirëpo mendoj se tani studentët po e zëvendësojnë atë me shkencat kompjuterike, pra ‘Matematikë e avancuar’ dhe mendoj që kjo arsyeton edhe zëvendësimet nëpër shkolla”, deklaroi studentja. Ndër të tjera, edhe disa nga profesorët dhe mësimdhënësit theksojnë se kjo dukuri po ndodh si pasojë e migrimit, ku numri i studentëve po bie dukshëm jo vetëm në këto shkenca natyrore, por edhe në drejtimet e tjera. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 13 Shtator, 2024 19:37