“Hetim i gjerë për zbulimin e krimit me përmasa epike”

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 16 Shtator, 2024 19:32

“Hetim i gjerë për zbulimin e krimit me përmasa epike”

Hetim të gjerë që do të rezultojë me zbulimin e krimit të përmasave epike ka paralajmëruar kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve lidhur me kontrollet e organeve të hetuesisë javën e kaluar në disa qytete të vendit lidhur me dyshimet për krim të madh financiar të kryer gjatë evazionit fiskal dhe pastrimit të parave. Megjithatë, kryeministri nuk ka treguar nëse në hetim janë përfshirë edhe ish-zyrtarë, por ka paralajmëruar hetime të ngjashme në të ardhmen.

“Nuk do të doja të zbuloja informacione për hetimin tani, hetimi është në rrjedhë e sipër. Mund të them se do të jetë epike, me krim epik. Ajo që mund të them është se ky është një nga ato që do të vijojnë në periudhën e ardhshme në shtator, tetor e kështu me radhë”, tha Hristian Mickoski, kryeministër.

Prokuroria Publike javën e kaluar informoi se në kuadër të procedurës parahetimore janë kryer bastisje në disa lokacione në Strumicë, Gostivar dhe Shkup, ndërsa prokurori publik shtetëror Lupço Kocevski në një intervistë për televizionin publik deklasoi se tre persona tashmë janë marrë në pyetje ndërsa për një person janë propozuar masa të sigurisë – konfiskimi i pasaportës dhe detyrimi për t’u paraqitur herë pas here te nëpunësi i caktuar kompetent. Gjykata pranoi propozimin dhe vendosi masat e propozuara. Tre personat e tjerë të arrestuar kanë dhënë deklaratë para prokurorit publik dhe më pas janë liruar.

Prokuroria për Alsat thotë se për momentin organet kompetente vazhdojnë të ndërmarrin veprimet në kuadër të procedurës parahetimore dhe kur të kenë më shumë detaje, menjëherë do ta informojnë opinionin. Më herët ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se bëhet fjalë për aksion të madh për krim financiar me përmasa epike, por gjithashtu tha se në interes të hetimeve nuk dëshiron të zbulojë më shumë detaje. Aksioni për akuzat për evazion fiskal është kryer në më shumë se një lokacion në territorin e vendit.

Veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake, si dhe me institucione të tjera shtetërore si DAP, Ministria e Financave dhe Drejtoria Doganore. /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 16 Shtator, 2024 19:32