Mbyllet përkohësisht kuzhina në kazermën “Goce Dellçev” në Shkup pas helmimit të 20 kadetëve

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 17 Shtator, 2024 21:42

Mbyllet përkohësisht kuzhina në kazermën “Goce Dellçev” në Shkup pas helmimit të 20 kadetëve

Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë marrë masë për kryerjen e ridezinfektimit, ndërsa do të merren tampona të reja kontrolli nga kuzhina ku është përgatitur dhe servirur ushqimi në mensën e Akademisë Ushtarake Kazerma Goce Dellçev – Shkup, nga ku dyshohet për helmim nga ushqimi këto ditë, përcjell FLAKA.

“Masa e vendosur pas kontrollit të jashtëzakonshëm për mbylljen e përkohshme të kuzhinës do të mbetet në fuqi derisa testet e reja laboratorike të konfirmojnë sigurinë e saj”, tha AUV.

AUV tregon se nga Qendra për Shëndet Publik kanë marrë rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të marra ushqimore dhe tamponëve nga kuzhina ku përgatitej dhe shërbehej ushqimi në mensën e Akademisë Ushtarake.

“Në mostrat e ushqimeve të ekzaminuara (fileto me merluci, salcë tartar, patate, domate, derri i pjekur, oriz i zier dhe lakra e zier), nuk u konstatuan devijime në lidhje me kriteret e sigurisë. Në një tampon, nga dy të marra nga tavolina e punës, pas analizave mikrobiologjike u konstatua se tamponi nuk i plotëson standardet e higjienës, pra u konstatua prania e baktereve mezofile aerobe. Janë testuar dhe marrë në laborator dy tampona nga duart dhe një shtupë nga një makinë prerëse perimesh, një kosh plastik për perime të lara”, thonë nga AUV. FLAKA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 17 Shtator, 2024 21:42