Presidentja Siljanovska Davkova priti ambasadoren greke Filipidu

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 17 Shtator, 2024 21:15

Presidentja Siljanovska Davkova priti ambasadoren greke Filipidu

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot e priti ambasadoren e Republikës së Greqisë Sofija Filipidu.

Siç njoftoi Kabineti i Siljanovska-Davkovës, në takim është biseduar për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet dy vendeve, potencialet dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit, në funksion të ndërtimit të fqinjësisë së mirë të bazuar në besimin dhe mirëkuptimin reciprok. Në këtë drejtim, presidentja shprehu pritje për mbështetje nga Greqia për politikën e zgjerimit dhe aspiratat tona evropiane.

Në takim me ambasadoren greke janë shkëmbyer mendime edhe për Marrëveshjen e Prespës dhe implementimin e saj, ku presidentja vuri në dukje rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të saj nga të gjitha palët që u angazhuan për të.

“Presidentja Siljanovska Davkova në takim i rikonfirmoi përkushtimin për zhvillimin e mëtutjeshëm të partneritetit dhe miqësisë së sinqertë me Greqinë. Ajo e theksoi bashkëpunimin e mirë në fushën e mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar, lidhjes infrastrukturore, si dhe bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës dhe turizmit, si sfida në të cilat duhet të fokusohemi bashkërisht në interes të mirëqenies dhe afrimit të popujve të të dyja vendeve”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të Siljanovska-Davkovës.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 17 Shtator, 2024 21:15