Përballja me lajmet e rreme: Edukimi Mediatik, nevojë urgjente për nxënësit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 18 Shtator, 2024 19:40

Përballja me lajmet e rreme: Edukimi Mediatik, nevojë urgjente për nxënësit

“Fatkeqësisht, gjendja me informimin është e brishtë dhe dëgjuesit apo lexuesit pranojnë gjithçka që ju servohet, dhe për këtë fajtori kryesor është ngufatja që po i bëhet publikut nga portalomania dhe rrjetet sociale. Andaj, mundësia më e mirë do të ishte që nëpërmjet Ministrisë së Arsimit, të mundësohet mësim i obliguar i lëndës mësimore Edukimi Mediatik rreth mundësisë së informimit të drejtë dhe të besueshëm”, thotë profesor Dashmir Idrizi

 Në këtë kohë kur shoqëria po bëhet gjithnjë e më e varur nga media online, sidomos ato në rrjetet sociale, njëkohësisht është bërë e nevojshme edhe futja e Lëndës së Edukimit Mediatik si lëndë obligative në shkolla. Hulumtimet tregojnë se nxënësve, por edhe punonjësve në arsim, ju mungon aftësia për të shfletuar në mënyrë efektive në këtë peizazh mediatik. Ata mund të mos jenë në gjendje të dallojnë faktin nga trillimi, dhe kjo i lë ata të pambrojtur ndaj manipulimit, keqinformimit dhe dezinformimit. Prandaj, mësimi për Edukimin Mediatik u ofron atyre mjetet e nevojshme për të vlerësuar besueshmërinë e burimeve dhe mesazhet për saktësinë dhe paragjykimet. Dashmir Idrizi, profesor në Katedrën e Gazetarisë në Universitetin e Tetovës, thotë se fajtori numër një është ngufatja që i bëhet publikut nga portalomania dhe rrjetet sociale.

“Fatkeqësisht, gjendja me informimin është e brishtë dhe dëgjuesit apo lexuesit pranojnë gjithçka që ju servohet, dhe për këtë fajtori kryesor është ngufatja që po i bëhet publikut nga portalomania dhe rrjetet sociale. Andaj, mundësia më e mirë do të ishte që nëpërmjet Ministrisë së Arsimit, të mundësohet mësim i obliguar i lëndës mësimore Edukimi Mediatik rreth mundësisë së informimit të drejtë dhe të besueshëm”, thotë profesor Dashmir Idrizi, duke theksuar gjithashtu se do të ishte mirë që, nëpër mediat serioze në vend, të mbahen emisione dhe të shkruhet rreth besueshmërisë së mediumeve. Sa i përket lajmeve të rreme, Idrizi për gazetën KOHA thotë se i hasim nëpër të gjitha mediat e vendit, saqë ndonjëherë ndoshta pa dashje, por publikohen edhe nëpër mediat audio-vizuale që mbahen për serioze.

“Gjithmonë kam kërkuar të përgatitet një ligj i cili do të ndalonte publikimin e lajmeve të rreme, gjegjësisht, shpifjeve dhe ofendimeve që po ndodhin dita-ditës, dhe në përgatitjen e të cilit do të merrnin pjesë profesorë universitar, përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Drejtësisë. Me këtë nuk dua të keqkuptohem se jam kundër informimit, por jam kundër keqinformimit dhe helmimit të rinisë me dezinformata”, përfundoi ai.

Profesor Dashmir Idrizi thotë se edukimi mediatik është nevojë e domosdoshme në shkolla që nxënësit të përgatiten për botën “moderne” dhe për menaxhimin e informacioneve të larmishme që ndodhen në të. “Kur nxënësit fillojnë të bëjnë pyetje rreth asaj që shohin dhe lexojnë në media, ata përforcojnë shprehitë e të lexuarit, të shkruarit dhe të menduarit kritik. Veprimtaritë në këtë mësim i prezantojnë nxënësve konceptet bazë për të analizuar mesazhet duke përfshirë qëllimin e autorit, publikun e synuar dhe teknikat e përdorura për tërheqjen e vëmendjes së njerëzve. Duke eksploruar mënyrën sesi komunikojnë tipa të ndryshëm mesazhesh mediatike, ju ndërgjegjësoheni mbi ndërtimin e mesazheve për të arritur efekte të ndryshme për të informuar, bindur dhe argëtuar”. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 18 Shtator, 2024 19:40