Vonesa e dërgesave postare, Miladinovski: Më të shpeshta, ata që vijnë nga jashtë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 19 Shtator, 2024 20:45

Vonesa e dërgesave postare, Miladinovski: Më të shpeshta, ata që vijnë nga jashtë

Problemet me dërgesat postare nuk kanë të ndalur. Ata vazhdojnë të vonohen nëpër adresat përkatëse, e kjo u shkakton dëm qytetarëve të cilët vazhdimisht ankohen që si pasojë e vonesës paguajnë kamatë dhe shpenzojnë kohë në sportelet për procedurat administrative.

Drejtori i Agjencisë për Shërbime Postare, Sretan Miladinovski, thotë se ka vonesa në dërgesa, por se më të shpeshtat janë ato që vijnë nga jashtë, për të cilat numëron disa faktorë se pse ato nuk arrijnë në kohë tek qytetarët.

“Faturat mund të vonohen, mirëpo nga kompanitë nuk kemi ndonjë dijeni se ka ndonjë dënim të madh. Për dërgesat nga jashtë që vijnë, nuk është e gjitha tek postat, mendoj që postat në mënyrë korrekte e kryejnë punën, por këtu e dini që ka edhe kufi edhe dogana.”, – deklaroi drejtori i Agjencisë së Postave, Sretan Miladinovski.

Dita e dorëzimit të gjelbër, shënohet java evropiane e lëvizshmërisë

Nën moton “Dita e Dorëzimit të Gjelbër”, në kuadër të Javës Evropiane të Lëvizshmërisë, sot janë përdorur mjete ekologjike, si biçikleta dhe trotinete elektrikë për dërgesat postare deri tek qytetarët.

“Ideja është që ditën ta kalojmë në shenjë të lëvizshmërisë, që do të thotë që të gjithë dërguesit do të shfrytëzojnë transport ekologjik për dorëzimin e postës.”, – theksoi aktivisti qytetar, Valon Saliu.

Aktivitetet e tilla synojnë të inkurajojnë qytetarët të adoptojnë mënyra alternative dhe ekologjike me mjedisin për të udhëtuar, siç janë ecja, çiklizmi dhe transporti publik. Në tregun postar në vendin tonë, përveç postës shtetërore, shërbime postare ofrojnë edhe 40 kompani të tjera të licencuara për shërbime të tilla.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 19 Shtator, 2024 20:45