Apeli kthen në rigjykim lëndën për Muhamed Zeqirin

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 19:25

Apeli kthen në rigjykim lëndën për Muhamed Zeqirin

Gjykata e Apelit e ka rikthyer nga e para lëndën në të cilën ish-sekretari i Qeverisë, Muhamed Zeqiri, u dënua me dy vjet e gjysmë burg për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, shkruan Alsat.

Rasti, kishte të bënte me marrëveshjet për shërbime konsulente për privatizimin e mundshëm të Shoqërisë Aksionare Postat e Maqedonisë dhe Hekurudhat, që sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Zeqiri ka dëmtuar buxhetin e shtetit mbi 57 milionë denarë.

“Pas mbajtjes së seancës publike për qershor të vitit 2024, më 6 shtator 2024 është miratuar vendim me të cilën e pranon ankesën e të akuzuarit M.Z. dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup, pas ankesës dhe sipas detyrës zyrtare, e ka shfuqizuar dhe lëndën e ktheu për rigjykim. Ankesa e Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Shkup, e deklaruar në lidhje me vendimin për konfiskim, e vlerësoi si të parëndësishme në këtë fazë të procedurës”, thonë nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Penale e Shkupit, në dhjetor të vitit të kaluar e dënoi Zeqirin nën akuzën se ka lidhur kontratë në katër sy, pa dhënë mundësi për oferta konkurruese.

Përveç dënimit me burg, Penalja e ngarkoi Zeqirin që në afat prej gjashtë muajsh, të kompensojë dëmin në vlerë mbi 1.1 milion euro.

Zeqiri, i cili gjatë gjykimit u deklarua se nuk ndihet fajtor për veprat që ngarkohet, pas shqiptimit të dënimit, tha se në tërë procesin gjyqësor nuk është dëshmuar paramendimi i veprës./ Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 19:25