Deputetët “pa zë” për raportin e KSHPK-së për fushatën zgjedhore për zgjedhjet e fundit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 22:11

Deputetët “pa zë” për raportin e KSHPK-së për fushatën zgjedhore për zgjedhjet e fundit

65 raste të hapura nën dyshimin e arsyeshëm se ka pasur keqpërdorime të kodit zgjedhor gjatë procesit zgjedhor në vitin 2024, 6 iniciativa për ndjekje penale të dorëzuara nga KSHPK në Prokurorinë Publike dhe 5 iniciativa për përcaktimin e përgjegjësisë së institucioneve, përcjell FLAKA.

Këto janë vetëm disa nga shkeljet e konstatuara në raportin e Komisionit Kundër Korrupsionit për procesin e fundit zgjedhor, të cilin kryetarja Tatjana Dimitrovska sot e prezantoi para përfaqësuesve të popullit të Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive.

Dimitrovska po ashtu theksoi se as 50% e institucioneve nuk kanë dorëzuar raport në KSHPK për përdorimin e automjeteve zyrtare, por për shkak të paqartësive në legjislacion, ku nuk është përcaktuar shuma e gjobës, komisioni nuk ka mundur të dorëzojë procedurë kundërvajtëse.

Si arsye që mund të hedhë njollë të zezë edhe në fushatën nga Antikorrupsioni, ata theksojnë se shteti vazhdon të shfaqet si financuesi më i madh me mjete nga buxheti i shtetit dhe në raport vërehet zbatimi jo i duhur i dispozitave ligjore në financimin e partive në seksionin e dhurimeve dhe shpenzimeve.

Ky raport, siç thekson Dimitrovska, është rezultat i dyshimeve që qytetarët i kanë parashtruar në lidhje me punësimin e mundshëm gjatë procesit zgjedhor, shfrytëzimin e pronës shtetërore dhe të dhëna të ngjashme që tregojnë për shkelje të mundshme ligjore. Por, në seancën e komisionit parlamentar, si qeveria ashtu edhe opozita heshtën për këto konstatime që përmban raporti i komisionit kundër korrupsionit. FLAKA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 22:11