Këmbësorët të pasigurt

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 19:39

Këmbësorët të pasigurt

Sipas policisë, aksionet e fundit që ndërmarrin pjesëtarët e policisë kanë rezultuar me zvogëlimin e numrit të viktimave, kur bëhet fjalë për kategorinë e këmbësorëve

Këmbësorët në rrugët e Tetovës dhe jo vetëm, vazhdojnë të jenë të rrezikuar nga drejtuesit e pandërgjegjshëm të veturave. Jo rrallë herë kjo kategori neglizhohet nga ana e drejtuesve të automjeteve duke mos u dhënë përparësi, por shpeshherë ndodh që edhe këmbësorët të mos kalojnë rrugën në vendet e shënuara për kalim. Së fundmi, dukshëm janë rritur kontrollet e policisë edhe për këmbësorët se a i respektojnë shenjat në komunikacionit, prandaj edhe ka rritje të numrit të personave që marrin dënime, sepse e kalojnë rrugën në vende jo adekuate.

Nga Policia e Tetovës thonë se nga 1 janari e deri më 31 gusht, janë shqiptuar 131 gjoba ndaj këmbësorëve për shkak të mos respektimit të rregullave në komunikacion.

Krahas kësaj, janë shqiptuar 94 dënime ndaj shoferëve, të cilët nuk u kanë dhënë përparësi kalimi këmbësorëve, të cilët kanë qenë duke kaluar rrugën në vijat e bardha. Me këtë rast, apelohet që këmbësorët të jenë të kujdesshëm, duke përmendur edhe rastin e fundit kur një 61-vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti trafiku. “Shfrytëzoj rastin që të apeloj deri tek këmbësorët që të respektojnë rregullat në komunikacion, jo sepse do të dënohen por që të jenë të sigurt kur kalojnë rrugën dhe me këtë ata do të kontribuojnë për siguri më të madhe në trafikun rrugor. Qëllimi nuk është që të gjobiten këmbësorët por të mbrohen ato nga goditjet apo shkeljet nga vozitësit”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Sipas policisë, aksionet e fundit që ndërmarrin pjesëtarët e policisë kanë rezultuar me zvogëlimin e numrit të viktimave, kur bëhet fjalë për kategorinë e këmbësorëve.

“Këto kontrolle të shpeshta ndaj këmbësorëve kanë bërë që të kemi zvogëlim të viktimave dhe personave të lënduar. Për fat të keq, edhe pse kishim shpresa se ky vit do të përmbyllej pa viktima pra pa asnjë këmbësorë të mos humb jetën në komunikacion, por kjo nuk ndodhi, ngase para disa ditëve e kishim viktimën e parë (këmbësorë) si pasojë e një aksidenti trafiku. Poashtu, kemi edhe rreth 50 për qind më pak këmbësorë të lënduar në aksidente trafiku në krahasim me vitet paraprake”, njoftoi Rexhepi.

Nga Policia e Tetovës apelojnë që edhe gjatë orëve të natës, sidomos gjatë kësaj periudhë këmbësorët të kenë kujdes, sepse dukshëmria është më e vogël dhe me shumë kujdes të kalojnë rrugën. Ndryshe, një person i moshës 61 vjeçare nga Tearca ka humbur jetën ditë më parë kur është goditur nga një veturë në afërsi të ish-Monopollit, respektivisht në Bulevardin “Iliria” në Tetovë. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 19:39