Në vend të fakultetit të Informatikës dhe Sportit, kjo godinë është shndërruar në qendër strehimi për të pastrehët dhe narkomanët

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 19:23

Në vend të fakultetit të Informatikës dhe Sportit, kjo godinë është shndërruar në qendër strehimi për të pastrehët dhe narkomanët

Shiringa të përdora për drogë, ilaçe kundër depresionit, shtretër për të pa strehët dhe një qen endacak. Kjo është pamja brenda dy fakulteteve, që nga jashtë duken se po shkatërrohen çdo ditë e ngadalë.
Plani ishte që në këto godina të vendoseshin Fakulteti i Informatikës dhe Sportit.

“Që nga viti 2015, kjo tabele këtu mban mbishkrimin se në këtë vend do të ndërtohen dy fakultete shumë të rëndësishëm për studentët. Njëri i informatikës ndërsa tjetri i edukatës fizike. Që nga koha që është vendosur tabela këtu, fakultetet ende vazhdojnë të jenë të pa përfunduar”, raporton Avni Tahiri, gazetar.

Studentët të cilët janë të rrallë që flasin haptas para kamerave për shqetësimet e tyre thonë se këto objekte janë shumë të rëndësishme që të ndërtohen dhe të vendosen në funksion që t’u shërbejnë studentëve.

“Është koha që të bëhen fakultete të reja dhe në veçanti kur behet fjalë për Informatikë dhe elektro, pasi siç e di nga shoqet e mia, nuk kanë hapësira dhe kjo që qëndron kështu afër 10 vite është alarmante dhe asgjë nuk bëhet. Do të thosha që sa më shpejtë të rregullohet kjo gjendje”, tha një studente.

“Këto fakultete ishin të paraparë që të ndërtohen për studentët e Informatikës dhe atyre u duhen më së shumti ndërsa ne kemi këtu”, u shpreh një student.

“Janë shumë të nevojshëm, unë jam në fakultetin e drejtësisë por mendoj se duhet, këto janë të informatikës dhe sportit dhe mendoj se duhet të rregullohen sa më shpejtë, kështu mendoj unë”, tha një tjetër student.

Studentët e Shkencave Informatike disa herë kanë protestuar për ndërtimin e godinës dhe përmirësimin e kushteve në të cilat studiojnë. Por, kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhët. /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 19:23