Nxënësit shënuan Ditën e Paqes me porosi për barazi dhe mosdiskriminim

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 19:20

Nxënësit shënuan Ditën e Paqes me porosi për barazi dhe mosdiskriminim

Me porosi të ndryshme dhe parulla, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Shkup shënuan ditën ndërkombëtarë të paqes. Porositë e tyre janë që të mbizotëroj paqja dhe të mos ketë dallime mes kombësive, racave dhe fesë.

“Ne jemi nga shkolla “25 maji” dhe jemi këtu për një marsh për të shënuar ditën ndërkombëtare të paqes dhe që të kemi jetë më të mirë, të mos kemi dallime racash, gjinore apo fetare. Ne duam jetë të barabartë pa diskriminime dhe të jemi të lirë për çdo nevojë që kemi”, tha një nxënëse.

“Jemi këtu që të japim porosinë se të gjithë njerëzimi të bashkohemi dhe të mos mendojmë vetëm për veten por të punojmë si një komb dhe të shpërndajmë paqe çdo kund”, u shpreh një nxënëse.

“Këtu jemi që të shpërndajmë paqe dhe të shpërndajmë porosi për paqe”, tha një tjetër nxënëse.

“Këtu jemi që ta shënojmë ditën e paqes dhe kam porosinë se gjëja më e mirë që njerëzit meritojnë të investojnë është paqja ndërsa për paqe është e mjaftueshme një buzëqeshje e cila do të na bashkojë që të respektohemi ndërmjet vete” , theksoi një nxënëse.

Nga ambasada e Parë për Fëmijë në Botë , “Megjashi” thonë se marshi i paqes organizohet që nga viti 2011.

“Që nga viti 2011 kur edhe filloi programi për arsim paqësor vazhdimisht kemi organizime për 21 shtatorin, Ditën ndërkombëtare të paqes dhe thuajse në të gjitha qytetet që ne bashkëpunojmë me shkollat e mesme por edhe fillore ka organizime të këtilla qoftë marshi i paqes apo parada e paqes dhe shënohet me punëtori të ndryshme neper shkolla dhe jashtë shkollave”, deklaroi Fatmire Ajdari – Organizata “Megjashi”.

Marshi i paqes për të 13 vjet me radhë u realizua edhe sot në qendër të Shkupit, para shtëpisë së Nënës Terezë dhe më pas nxënësit marshuan dhe shpërndanë porosi për paqe. /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 19:20