SAShK-u në negociata me MASh-in për rritje të pagave

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 21:24

SAShK-u në negociata me MASh-in për rritje të pagave

Rritja enorme e çmimeve e ka vështirësuar jetën e të gjithëve në përgjithësi, por edhe të vet arsimtarëve. Edhe pse qysh më herët ishte paralajmëruar rritje e pagave në shtator për 12.5 për qind, kjo nuk po ndodh. Nga Sindikata për Arsim dhe Shkencë thonë se janë duke zhvilluar negociata me Ministrinë e Arsimit dhe se po bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur mundësi që pagat për punonjësit në arsim të rriten gjatë këtij muaji.

“Është biseduar me ministrinë disa herë dhe në ato bisedime të përbashkëta kërkohet njëfarë mundësie, që të kemi një rritje në këtë periudhë të rebalancit të buxhetit. Këto ditë, Qeveria e mori përsipër që t’i shohë mundësitë financiare të Ministrisë së Financave, që të ketë një përqindje të rritjes së pagave për këtë periudhë. Është gjatë të pritet për rritje të pagave deri në shtator?! Nuk diskutohet. Për shkak të rritjes jo normale të çmimeve dhe jetës së shtrenjtë, momentalisht në shtetin tonë nuk diskutohet që patjetër duhet të kemi rritje të pagave, prandaj kërkojmë atë bazën ligjore që duhej në shtator ta kemi atë rritjen prej 12.5 për qind.”, – deklaroi nënkryetari i SAShK-ut, Tafë Ahmeti.

MASh: Rritja do të bëhet vitin tjetër

Por, nga Ministria e Arsimit, të prerë se në shtator nuk do të ketë rritje, për shkak se siç thonë, Qeveria e mëparshme nuk ka siguruar mjete nga buxheti për këtë vit.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës planifikon rritjen e pagave në buxhet dhe kjo me siguri do të ndodhë vitin e ardhshëm, pasi buxheti për këtë vit është lënë në minus prej 5 miliardë denarësh nga Qeveria e mëparshme, që do të thotë se nuk u siguruan as mjetet minimale për pagesën e pagave deri në fund të vitit. Ashtu që, udhëheqësia e tanishme ka siguruar mjete në shumën prej 1 miliard denarësh për të mundësuar pagesën e pagave për mësimdhënësit deri në fund të vitit kalendarik. Ndërkohë, dialogu social me përfaqësuesit sindikalë vazhdon.”, – thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

E nga opozita, disa ditë më parë kanë deklaruar se buxheti ka para, por se për Qeverinë arsimi nuk është prioritet. Sipas tyre, Qeveria duhet të kuptojë se pa rritje të rregullt të pagave, në kushte kur rriten çmimet, do të bjerë standardi ekonomik i qytetarëve.

Mësimdhënësit kërkojnë rritje në shtator

Derisa Qeveria dhe opozita i hedhin fajin njëra – tjetrës për mosrritjen e pagave në arsim, mësimdhënësit janë ata të cilët po viktimizohen. Të indinjuar thonë se vështirë po ia dalin muajit.

“Kur kemi parasysh rritjen e standardit, rritjen e çmimeve, shtrenjtimin e të gjitha gjërave, këto rroga nuk janë rroga të dinjitetshme për arsimtarët. Si shkas i këtyre, ne kemi edhe mungesë të kuadrit arsimor, kemi mungesë edhe të kuadrit të matematikës dhe fizikës. Pagat janë pra faktorë që ndikojnë në këtë drejtim, në uljen e procesit edukativo-arsimor, pra nuk kemi një proces arsimor cilësor.”, – theksoi arsimtari, Islam Zendeli.

Pagat në arsim në Maqedoninë e Veriut janë rritur për herë të fundit në shtator vitin e kaluar. Kjo rritje e pagave ishte pjesë e një pakete të gjerë masash për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të rritur motivimin e mësimdhënësve.

Në fillim të këtij viti shkollor u mbajtën protesta para Ministrisë së Arsimit nga ana e opozitës me moton “S`keni arsyetime, rrisni pagat!”. Edhe pse kjo protestë nuk u mbështet nga Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, paralajmërojnë se do t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë sindikale për të vendosur se cilët do të jenë hapat të cilët do t’i ndërmarrin në periudhën në vazhdim, pa përjashtuar edhe grevën.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 21:24