Tetovë, disa lagje kanë mungesë të ujit
Reçica e vogël, lagjja e “Drenovecit” dhe shumë lagje tjera në Tetovë, kanë mungesë të ujit në çezmat e tyre. Qytetarët e anketuar thonë se kanë mungesë të ujit dhe sipas tyre pa ujë nuk ka jetë. Ata kërkojnë nga komuna e Tetovës që të marrin masa.
“Po, kemi problem, nuk kemi ujë aspak. Në qendër jetoj, nuk kemi ujë. Pa ujë është keq. Unë nuk jam ankuar, por djali po. Shumë vështir pa ujë, pa ujë nuk jetohet. Ujë ka plot, se ku shkon nuk e di. Turp i madh, mes qendrës nuk ka ujë, gatuajmë, punojmë, pa ujë si të jetohet!?”, – tha një banor.
“Shekulli 21, mos të kemi ujë. Gjithë këto male, ku i kemi. Ujë në male ka plot, por poshtë nuk mund ta sjellin, çka ndodh nëse duhet për lart.”, – tha një banor tjetër.
“Aspak nuk kemi ujë!”, – u shpreh një banor.
Nga ndërmarrja “Sharri” pranojnë se ka mungesë të ujit në disa lagje dhe sipas tyre punohet në gjetjen e një zgjidhjeje. Ndërsa thonë se dikush ndalon rregullatorët e ujit të qytetit me qëllim që disa lagje mos të kenë ujë.
Drejtori Valon Zeqiri tha se të gjitha ato persona apo punonjës të ndërmarrjes që ndalojnë ujin pa dijeninë e ndërmarrjes do të dënohen sipas ligjit.
“Problemi më i madh, siç përmenda lagjet “Drenovec”, “146” Reçicë e vogël, “Kulltuk”, ato janë lagje që kanë më shumë probleme me ujin. Për ato kemi zgjedhje, janë nisur punimet, janë në fazën përfundimtare afër lumit Shkumbin. Por, përsëri sot kemi hasur që në rregullatorët e qytetit ka pasur prekje nga faktori njeri, të cilët i kanë ndaluar, i ka prekur. Nëse janë punonjës, ka gjasa të jenë punonjës të ndërmarrjes, pasi vetëm ato i dinë këto vende dhe i ndalojnë ato.”, – theksoi drejtori i NKP “Sharri”, komuna e Tetovës, Valon Zeqiri.
Banorët e Tetovës për momentin po furnizohen nga burimet që janë tek shkolla bujqësore nga Kodra e Diellit. Mungesa e ujit më shumë ndjehet tek ndërtesat shumëkatëshe. ( TVm2)