Komuna e Preshevës i kërkon Kurtit rritjen e buxhetit në 4 milionë për Luginën e Preshevës në 2025-në

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Tetor, 2024 19:47

Komuna e Preshevës i kërkon Kurtit rritjen e buxhetit në 4 milionë për Luginën e Preshevës në 2025-në

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka përgatitur një dokument për kryeministrin Albin Kurti në të cilin i ka propozuar rritjen e fondit për vitin 2025 në 4 milionë euro  për Luginën e Preshevës.

Në një postim në Facebook, Sinani e ka publikuar këtë dokument në të cilin falënderohet Kurti dhe Qeveria e Kosovës për mbështetjen ndaj Luginës së Preshevës.

“Në këtë dokument propozojmë rritjen e fondit për vitin 2025 në 4 milionë euro  në fusha prioritare si arsimi, kultura, sporti, bujqësia dhe ruajtja e trashëgimisë kombëtare, të cilat janë kyçe për zhvillimin dhe mirëqenien e shqiptarëve të Luginës”.

“Angazhimi i qeverisë së Republikës së  Kosovës mbetet një shtyllë e rëndësishme për të siguruar që qytetarët tanë të kenë mundësi të barabarta për zhvillim dhe prosperitet, duke ruajtur identitetin tonë kombëtar”, ka thënë Sinani.

Dokumenti përmban falënderime për ndihmën e ofruar deri më tani, ndër të cilat:

– Ndihma financiare gjatë pandemisë  dhe për përmbytjet në Preshevë;

– Rritja e buxhetit për Luginën në 3 milionë euro për vitin 2024;

– Financimi i bursave për studentët  dhe shpërndarja e librave në gjuhën shqipe;

– Angazhimi për ligjin e shtetësisë së Kosovës dhe mbështetja për licencimin e mjekëve. /Klankosova.tv

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Tetor, 2024 19:47