Tri rreziqet që i kanosen shëndetit si pasojë e martesës së palumtur

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Tetor, 2024 20:07

Tri rreziqet që i kanosen shëndetit si pasojë e martesës së palumtur

Psikologu Mark Travers, ka vlerësuar se ndërkohë që martesa duhet të jetë një përkushtim i përjetshëm, e pastaj ndodhin cikle të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të pazgjidhura, këto mosmarrëveshje mund të kenë efekt dëshpërues në shëndetin në përgjithësi.

Në një shkrim për revistën Forbes ai ka shkruar se edhe lidhjet që fillojnë me dashuri e shpresë mund të bëhen të dëmshme nëse problemet lihen të pazgjidhura.

Martesa e keqe me konflikt të shpeshtë mund të bëhet e dhimbshme për mirëqenien emocionale dhe mund të çojë në pasoja mendore e fizike.

Ai i ka renditur tri rreziqet që sipas studimeve i kanosen shëndetit nga një martesë e palumtur.

1. Rrit rreziqet për sëmundje të ndryshme

Një studim që është bërë në vitin 2021 ka gjetur se burrat që janë të martuar por jo të lumtur në martesë kanë 94 për qind më shumë rrezik të pësojnë sulm në zemër dhe 21 për qind rrezik nga vdekja që mund të shkaktohet nga çfarëdo sëmundje, krahasuar me ata që janë të lumtur në martesën e tyre.

Ky studim ka ndjekur stilin e jetesës së pjesëmarrësve për tri dekada, duke gjetur se efektet e mungesës së lumturisë në martesë janë të gjata dhe ndikojnë te shëndeti.

Për më shumë, tensioni konstant mund të çojë në lirimin e hormoneve të stresit, gjë që rrit tensionin e gjakut dhe ritmin e të rrahurave të zemrës, potencialisht duke ndikuar në probleme kronike shëndetësore si hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Një studim që është bërë në vitin 2014, e që është publikuar në Journal of Health and Social Behaviour, ka gjetur se kualiteti i ulët i martesave ka lidhje me rrezik më të madh për sëmundje kardiovaskulare, sidomos për gratë më të vjetra në moshë. Ndikimi negativ që sjell martesa e palumtur në shëndet, vihet re më shumë te gratë se sa te burrat në moshë më të vjetër.

Kualiteti i martesës është parashikues i fuqishëm për shëndetin e grave e burrave, pasi studimet treguan se martesat e palumtura rrisin rrezikun për disa sëmundje si dhe vdekje me kalimin e kohës.

2. Ndikim negativ te shëndeti mendor

“Konflikti mund të jetë mjaft i dëmshëm për ata bashkëshortë që janë vetëmbrojtës përgjatë përleshjeve ose nëse janë duke u fjalosur për të njëjtën çështje disa herë rresht pa pasur ndonjë zgjidhje të problemit”, ka shpjeguar Rosie Shrout, nga Purdue University.

Një tjetër studim që u bë në Universitetin e Pennsylvanias ka gjetur se përgjatë 12 vjetëve, njerëzit që ishin në një martesë me kualitet të dobët, kanë raportuar se janë më pak të lumtur, kanë më pak vetëvlerësim dhe kanë shëndet më të dobët krahasuar me ata që patën martesë të lumtur.

Në fakt, qëndrimi në një martesë të keqe mund të jetë më keq se sa divorci, pasi që ata që braktisën martesat e palumtura, ndërkohë që, ose qëndruan vetë, ose u martuan sërish, u ndien më mirë dhe patën më shumë kënaqësi në jetë se sa ata që qëndruan në martesë të palumtur.

Për më shumë, martesa e palumtur mund të çojë në ndryshim në funksionim të trurit, duke ndikuar te kujtesa, të nxënit, marrja e vendimeve dhe fokusimi. Rëndësia e kualitetit të martesës ndikoi te trajektorja e burrave por pati ndikim më të vogël te gratë. Në një studim të vitit 2021, të cilin e bëri Universiteti i Michiganit, shpjegohet se burrat me pakënaqësi rreth kualiteti të martesës përjetuan më shpejt ngecjen në aftësitë njohëse të trurit.

3 Pengesat në shërim

Stresi i vazhdueshëm nga një martesë e palumtur mund të dobësojë sistemin imunitar duke rritur inflamacionin dhe duke ngadalësuar aftësitë e trupit për t’u shëruar, duke i bërë disa individë më të prirur ndaj infeksioneve, sëmundjeve kronike dhe vonimit të rikuperimit nga lëndimet.

Një studim i vitit 2023, i cili u publikua në Psychoneuroendocrinology, ka ekzaminuar modelet negative të komunikimit në mes të çifteve, të tilla si përleshjet e pa zgjidhura dhe evitimin e diskutimit dhe ndikimin e të dy këtyre faktorëve në shëndetin emocional.

Studiuesit kanë gjetur se çiftet që përfshiheshin në më shumë diskutime negative, përjetonin shërim më të ngadalë të plagëve si dhe nivel më të lartë të infeksioneve, një shpjegim mjaft i qartë se si ndikon stresi në trup. Këto efekte u vunë re më shumë te gratë se sa te burrat.

Studimi ka sugjeruar se komunikimi jo i mirë në martesë, jo vetëm që dëmton mirëqenien emocionale por gjithashtu ndikon direkt edhe te shëndeti fizik, duke rritur prirjen e organizmit për sëmundje dhe zgjatje të periudhës së rikuperimit.

“Ajo që po shohim është se edhe negativiteti kronik i përditshëm e edhe ai akut si dhe kombinimi i tyre, përjetimi i të dyjave, është veçanërisht i keq për emocionet e çiftit, lidhjen e tyre dhe funksionin e imunitetit të tyre”, ka shpjeguar autorja e studimit, Shrout.

Një tjetër studim që u bë në vitin 2019 ka shpjeguar se stresi dhe mungesa e lumturisë në martesë mund të kenë ndikim negativ në shëndetin e zorrëve. Kur çiftet janë të stresuar, mikrobiomi i zorrëve të tyre disbalancohet, duke çuar në probleme shëndetësore, si për shembull, kur substanca të dëmshme nga stomaku, kalojnë në rrjedhën e gjakut. Kjo gjë mund të krijojë inflamacion dhe të rrisë rrezikun për sëmundje kronike si mbipesha apo obeziteti dhe sëmundjet e zemrës.

Stresi dhe konflikti në marrëdhënie gjithashtu mund të çojë në zakone të këqija shëndetësore, si për shembull, ngrënia e ushqimit të pashëndetshëm, i cili mund të përshpejtojë plakjen dhe i bën njerëzit të sëmuren më shumë.

Martesa stresuese mund t’i bëjë të dy partnerët më të pashëndetshëm me kalimin e kohës, sepse trupat e tyre janë vazhdimisht në stres dhe disbalancë. Të qenit në martesë të pashëndetshme është keq për shëndetin, është pothuajse po aq e rrezikshme sa konsumimi i duhanit apo i alkoolit.

“Pra kjo do të thotë se përpjekjet për mirëkuptim dhe për të rregulluar martesën, potencialisht mund të shpëtojnë jetë”, ka thënë psikologu amerikan Travers, i cili shkruan vazhdimisht për çështje psiko-edukative, si lumturia, lidhjet, personaliteti dhe domethënia e jetës.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Tetor, 2024 20:07