Mikrobet e dorezës së tushit dhe brushës së dhëmbëve mund të shpëtojnë jetë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Tetor, 2024 20:45

Mikrobet e dorezës së tushit dhe brushës së dhëmbëve mund të shpëtojnë jetë

Një studim i ri, i cili është publikuar në gazetën Frontiers in Microbiomes, doreza e tushit dhe brusha e dhëmbëve, janë ideale për shumimin e mikroorganizmave.

Këto mikrobe përfshijnë një grup virusesh të njohur si bakteriofagë, të cilët janë armiku natyror i baktereve.
Çdo bakteriofag ka evoluar për të sulmuar dhe shkatërruar një lloj të caktuar bakteresh, shkruan CNN.

Erica Hartmann, profesoreshë në Universitetin Northwestern, e cila ka udhëhequr studimin, thekson se numri i viruseve të gjetura është shumë i madh.

Ajo dhe ekipi i saj studiuan mostra nga 34 brusha dhëmbësh dhe 92 doreza të tushëve, duke identifikuar 614 viruse, ani pse mendon se ka shumë më tepër.

Ajo ka thënë se këto viruse janë të ndryshme dhe ndihmojnë në kontrollimin e baktereve, duke ofruar një shpresë për trajtimin e infeksioneve që nuk reagojnë ndaj antibiotikëve.

Përdorimi i bakteriofagëve në trajtime mjekësore është në rritje, duke ofruar një alternativë për antibiotikët e zakonshëm si dhe duke ndihmuar në mbrojtjen e mikrobiomit natyror.

”Ani pse mund të duket e frikshme, mikrobet që gjenden nëpër shtëpitë tona, luajnë rol të rëndësishëm në shëndetin tonë”, ka thënë Hartmann.

Mikrobet janë të pranishme kudo dhe janë të nevojshme për funksione të ndryshme trupore. Ato ndihmojnë tretjen e ushqimit dhe mbrojnë nga infeksionet e ndryshme.

Hartmann ka këshilluar që të gjithë t’i shohin mikrobet me kuriozitet dhe admirim, duke njohur potencialin e tyre për të ndihmuar në përmirësimin e shëndetit në përgjithësi.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Tetor, 2024 20:45