Siljanovska: S’do të lejojmë përplasje luftarake në tokën tonë!

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 14 Tetor, 2024 21:40

Siljanovska: S’do të lejojmë përplasje luftarake në tokën tonë!

Komandantja supreme e Armatës, Gordana Siljanovska-Davkova me rastin e betimit të klasës së 28-të të kadetëve studentë në akademinë ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostollski” tha se 5 vjet pas anëtarësimit të vendit në NATO, Maqedonia e Veriut ka treguar se ka Armatë të përgatitur.

“Në misionet e shumta, pjesëtarët tanë kanë treguar dhe ende tregojnë dhe vërtetojnë se mund të qëndrojnë krah për krah me kolegët e armatave më të fuqishme dhe të arrijnë rezultate të larta, duke i kryer në mënyrë të shkëlqyer detyrat e tyre”, theksoi Siljanovska.

Siljanovska tha se shpreson që Armata të angazhohet sa më shumë në misione paqësore, por duke komentuar situatën politike në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë, fton për “zgjim dhe përgatitje”.

“Jam e sigurt që nuk ka konflikt, për të cilin nuk mund të arrihet zgjidhje paqësore. Sa më parë, aq më mirë. Besoj që ne, të mësuar nga historia e përgjakshme, e kemi mësuar filozofinë paqësore dhe se nuk do të lejojmë përplasje luftarake në tokën tonë”, shtoi Siljanovska.

Në ngjarjen e sotme morën pjesë shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-major, Sashko Lafçiski, gjeneral, përfaqësues të korit diplomatik, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës, si dhe familjar dhe miq të klasës së 28-të të kadetëve.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 14 Tetor, 2024 21:40