O’Brien takohet me Kurtin

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 21 Tetor, 2024 19:53

O’Brien takohet me Kurtin

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e ekzekutivit kosovar më 21 tetor.

Paraprakisht, Qeveria nuk ka dhënë detaje për këtë takim, që ka nisur në orën 15:00.

Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka mirëpritur O’Brienin në vizitën e tij të parë në Kosovë, dhe ka thënë se bashkë me të do të diskutojnë me zyrtarë të Kosovës për çështjet bilaterale dhe do të ritheksojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës.

Një ditë më parë, në Beograd O’Brien u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi, lideri serb tha se takimi me zyrtarin amerikan u fokusua në “zgjidhjen politike në rajon, në situatën aktuale në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit në shumë fusha”.

Sa i përket Kosovës, Vuçiq tha se ka shprehur “shqetësim të thellë lidhur me sfidat që përballen çdo ditë popullata serbe”, duke shtuar se ai ka shprehur gatishmëri për gjetjen zgjidhjeve për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Vuçiq po ashtu tha se shpreson që dinamika e dialogut dhe bashkëpunimi rajonal “të vazhdojnë me mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian”.

Sa i përket dialogut, O’Brien në një intervistë për transmetuesin publik serb të publikuar më 21 tetor tha se kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura të respektohen.

Ai tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “hap i rëndësishëm”, por kërkoi që të bëhet përparim edhe para themelimit të Asociacionit.

Që nga viti 2013, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit. Më 2015, është arritur edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Por, marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë. Kosova ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.

Së fundi, Qeveria e Kurtit është përballur me kritika nga SHBA-ja dhe shtete të tjera perëndimore. Kjo pasi, komuniteti ndërkombëtar i ka cilësuar disa veprime të ekzekutivit kosovar – përfshirë edhe mbylljen e disa institucioneve që funksiononim sipas sistemit të Serbisë – si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Qeveria ka thënë se veprimet e saj janë në kuadër të shtrirjes së sovranitetit dhe të sundimit të ligjit./REL

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 21 Tetor, 2024 19:53
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.