Dimitrieska-Koçoska takime në FMN – Jemi duke e stabilizuar menaxhimin e financave publike
Përmirësimi dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik, përkrahja e aktivitetit ekonomik dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike janë qëllimet kryesore të politikës fiskale që do ta udhëheqë Qeveria e re. Procesi i stabilizimit tashmë ka filluar me ribalancin e buxhetit të miratuar për vitin 2024 dhe do të vazhdojë me shpenzime të disiplinuara buxhetore, konsolidim gradual fiskal, ulje të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, njëkohësisht me rritje të efikasitetit në arkëtimin e të hyrave. Kjo u konstatua në takimet e ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska me drejtorin e FMN-së për Evropën, Alfred Kammer, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Paul Hilbers dhe drejtorin alternativ ekzekutiv, Luc Dresse, si dhe me Jeroen Clicq, i cili do të marrë postin e drejtorit ekzekutiv të FMN-së dhe Marniks van Raj, i cili do të marrë postin e drejtorit ekzekutiv alternativ.
“Pas marrjes së pushtetit në muajin korrik, hartuam ribalancin e buxhetit për vitin 2024 me qëllim të sigurimit të stabilizimit të financave publike dhe shlyerjes së detyrimeve që ishin të përcaktuara me ligje dhe detyrimeve të maturuara. Konsolidimi fiskal është proces që praktikohet edhe në ribalancin, duke shkurtuar shpenzimet joproduktive. Me shpenzim të disiplinuar buxhetor, ky proces do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, që do të reflektohet mbi uljen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Nga ana tjetër, do të përmirësohen të hyrat e buxhetit, duke rritur efikasitetin e arkëtimit, veçanërisht në pjesën e ekonomisë joformale”, theksoi ministrja e Financave”, ka theksuar ministrja e Financave.
Ajo potencoi se në këtë mënyrë gradualisht do të arrihen rregullat fiskale për nivelin e deficitit buxhetor deri në 3% të PBB-së dhe borxhit publik deri në 60% të PBB-së.
“U miratua Strategjia fiskale dhe u hartua trajektorja me të cilën do të lëvizë deficiti buxhetor, si dhe Strategjia e menaxhimit të borxhit publik, me të cilën, gjithashtu do të sigurohet zbatimi i përpjekjeve të Ministrisë së Financave për menaxhim prudent të borxhit publik dhe për arritjen e nivelit nën 60% deri në vitin 2029. Në këto suaza, tashmë në fazë përfundimtare është buxheti për vitin 2025, me të cilin pritet që të ulet deficiti buxhetor në krahasim me ribalancin e këtij viti dhe do të jetë në nivel jo më shumë se 4% të PBB-së”, potencoi Dimitrieska- Koçoska.
Ajo, siç informojnë nga Ministria e Financave, ka bërë të ditur se përveç konsolidimit fiskal, fokus i fuqishëm është vendosur nga ana e Qeverisë edhe në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe në këtë drejtim do të implementohet një koncept krejtësisht i ri i bazuar në investime. Kjo do të mbështetet përmes investimeve në projektet infrastrukturore, riprojektimin e strukturës të financave publike, që nënkupton ruajtjen e nivelit të lartë të shpenzimeve kapitale dhe përforcimin e transparencës dhe llogaridhënies. Po ashtu, siç potencoi ajo, aktiviteti ekonomik do të përkrahet edhe përmes realizimit të një cikli të ri investimesh prej më shumë se 500 milionë eurosh nga ana e sektorit privat.
Gjithashtu, ajo theksoi se rol të rëndësishëm do të ketë edhe reforma tatimore e cila do të jetë baza e përforcimit të arkëtimit të të hyrave, kryesisht përmes uljes së ekonomisë joformale, e cila përmes efikasitetit më të lartë në arkëtimin e ta hyrave do të krijojë edhe kushte të përshtatshme për punën e kompanive dhe nivelit më të lartë të konkurrencës së tyre.
Gjatë takimit u theksua se në realizimin e reformave të planifikuara, rol të rëndësishëm do të luajë zbatimi i ligjit të ri, respektivisht Ligjit të Buxheteve, akteve nënligjore për të cilat po punohet aktualisht dhe që kanë për qëllim implementimin e praktikave më të mira në planifikimin dhe realizimin e buxhetit. Gjithashtu, pritet ndikim pozitiv edhe nga dixhitalizimi i proceseve.
Reformat e planifikuara do të marrin përkrahje edhe nga paralajmërimi i Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor të BE-së, për të cilin transha e parë pritet deri në fund të vitit në vlerë prej 7% të vlerës së përgjithshme, që është rreth 750 milionë euro. Në periudhën e kaluar janë ndërmarrë edhe disa aktivitete reformuese të caktuara, të cilat janë implementuar në harmonizim me Linjën e Likuiditetit dhe Përkujdesjes së FMN – PLL, të cilat kanë qenë në drejtim të ruajtjes së politikave të mirëfillta makroekonomike.
Në Uashington, ministrja Dimitrieska-Koçoska, së bashku me guvernatoren e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, do të zhvillojnë takime edhe me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore. Ministrja dhe guvernatorja janë pjesëmarrëse në Takimet e rregullta vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington, të cilat mbahen nga 21 deri më 26 tetor të vitit 2024.