Nuk pritet shtrenjtim i rrymës
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se nuk pret rritje të çmimit të rrymës për amvisëritë në janar. TEC Manastir aktualisht është duke me dy blloqe. Në muajt në vijim, nëse është e nevojshme, në plan është aktivizimi i bllokut të tretë
Kapacitetet e vjetruara të Termocentralit të Manastirit që për çdo vit i nënshtrohen riparimeve, por edhe daljes nga përdorimi të ndonjë nga tre blloqet prodhuese, minimumi i ujit me 20 për qind në hidrocentralet vendore, mosinvestimi me dekada në kapacitete të reja prodhuese, çmime jo të volitshme në Bursën e Budapestit. Të gjitha këto çështje së bashku me pikëpyetjet për shfrytëzimin e kapacitetit TETO në Shkup për prodhimin e rrymës që në vitet e fundit në fakt ka shpëtuar Maqedoninë nga kolapsi energjetik, kanë ngritur shqetësimin në opinion për shtrenjtimin eventual të rrymës pas vitit të ri, por edhe për furnizimin stabil dhe të pandërprerë me këtë energjens përgjatë stinës së dimrit.
Një fakt pozitiv në këtë drejtim është ai se për shkak të ngrohjes globale kemi harruar dimrat e fortë me temperatura tejet të ulëta për një periudhë më të gjatë kohore.
Çmimin e energjisë elektrike për amvisëritë e përcakton Komisioni Rregullator i Energjisë, të cilit tashmë i janë dorëzuar llogaritjet e kompanive energjetike për kostot e tyre. Sipas informacioneve të fundit, ata kërkuan një rritje prej 50 deri në 80% të çmimit të shërbimit të tyre. Tani mbetet të shikohet se sa prej këtyre harxhimeve do të pranohen për “MEMO” apo operatorin kombëtar të tregut të energjisë elektrike , tëthemeluar në gusht të vitit 2018 si rezultat i miratimit të Ligjit të ri për Energjinë që hyri në fuqi po atë vit. MEMO është kompani në pronësi të plotë të Operatorit të sistemit elektrotransmetues në Republikën e Maqedonisë së Veriut “MEPSO”. Edhe kjo kompani e transmetimit të rrymës ka kërkuar rritje të madhe të çmimit të rrymës.
Faktor edhe më i rëndësishëm në krijimin e çmimit përfundimtar të rrymës do të jetë çmimi me të cilin prodhuesi nacional i rrymës apo ElektroEkonomia e Maqedonisë do të merr pjesë në tenderin e EVN-HOME, për furnizim me energji elektrike, ku aktualisht çmimi është afër 60 euro për megavat orë. Në. qershor të këtij viti, Elektranat e Maqedonisë ofruan tre euro më shtrenjtë rrymën për EVN si furnizues universal apo për 60 në vend se për 57 euro. Për më tepër prodhuesi vendor i rrymës në pronësi të shtetit, ElektroEkonomia e Maqedonisë ofroi 85 për qind në prokurorim publik, ndërsa furnizuesi universal duhej të sigurojë pjesën e mbetur nga një kompani tjetër.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se nuk pret rritje të çmimit të rrymës për amvisëritë në janar. Sipas tij furnizimi me energji elektrike do të vazhdojë me kohë. “Nuk pres një rritje të çmimit të energjisë elektrike për familjet këtë janar.Nuk e pres.Nga ajo që mund të konstatoj, qytetarët janë furnizuar me të gjitha sasitë e energjisë elektrike në kohën e duhur dhe ne do të vazhdojmë t’i furnizojmë në atë mënyrë.Pra, të paktën nga informacionet që kam, nuk pres rritje të çmimit të rrymës për amvisëritë”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër, situata në Elektro Ekonominë e Maqedonisë për një kohë më të gjatë nuk është e mirë. dhe disa vite shteti ka intervenuar me subvencione për të mbuluar humbjet e saja. Tani ajo për të punuar, ka aranzhuar një kredi nga bankat vendase në shumën mbi 80 milionë euro.
Njëherësh edhe premtimi për një orë shtesë të rrymë së lirë gjatë ditës ka mbetur vetëm premtim. Rregullatorët nuk heqin dorë nga synimi i tyre, por tregu po monitorohet. Problemi i rritjes së periudhës lindi pasi çmimi i energjisë elektrike në vendet e Evropës Juglindore u rrit në mënyrë dramatike në krahasim me atë në vendet e tjera të BE-së. Në tregun evropian të rrymës ndikim të madh kanë edhe dëmet e shkaktuara nga agresion rus në Ukrainë apo dëmet e mëdha në sistemin elektroenergjetik ukrainas.
Në ndërkohë, Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska, vizitoi të hënën kapacitetin më të madh të prodhimit të energjisë elektrike në vend TEC Manastir.
“Fatkeqësisht, menaxhmentet e reja të SHA EEM dhe TEC Manastir gjetën një situatë të vështirë në kapacitetin tonë më të madh prodhues. Një bllok i termocentraleve, pra TE Manastir 1, nuk është remontuar fare dhe tashmë kemi hyrë në sezonin e ngrohjes. Ai termocentral, sipas planit operativ, është dashur që në mars të këtij viti, pra menjëherë pas përfundimit të sezonit paraprak të ngrohjes t’i nënshtrohej remontit, por kjo nuk u realizua. Për aq sa është e mundur, në aspektin tekniko-teknologjik, ekipet e ekspertëve të EEM dhe TEC Manastir kanë përgatitur këtë kapacitet që të jetë në dispozicion të sistemit elektroenergjetik gjatë dimrit dhe të përfshihet periodikisht në rrjetin elektroenergjetik”, tha Bozhinovska.
TEC Manastir aktualisht është duke punuar sipas bilancit energjetik për këtë periudhë, me dy blloqe. Në muajt në vijim, nëse është e nevojshme, plani është aktivizimi i bllokut të tretë.
“Jemi të vetëdijshëm se bëhet fjalë për objekte të vjetra mbi katër dekada. Punonjësit e TEC Manastir i dinë të gjitha sfidat e mundshme dhe do të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të mbajtur proceset e punës në termocentralin gjatë dimrit të ardhshëm. Rritja e prodhimit vendor është imperativi ynë dhe u sigurova se po ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për prodhim të vazhdueshëm dhe të besueshëm të energjisë elektrike gjatë dimrit”, tha Bozinovska. (koha.mk)