Publicistit Fahri Musliut promovon librat e tij në RMV

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 29 Tetor, 2024 21:33

Publicistit Fahri Musliut promovon librat e tij në RMV

Në hapje të eventit, gazetari dhe moderatori i kësaj ngjarje, Seladin Xhezairi lexoi një fragment nga “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd”. Në këtë ditar, Musliu përshkruan përjetimet e tij gjatë vitit 1999, kur ndodhej në Beograd.

Ai shënon: “E mërkurë, 26 maj 1999, ka tri ditë që po bëj gjumë të rehatuar, ndonëse vazhdoj të zgjohem shumë herët. Duke pirë kafen e mëngjesit, shfletoj shtypin dhe i përcjell lajmet nga mediat elektronike. Duket se të gjithë në këto hapësira jemi kthyer në sy dhe veshë, në pritje të vendimit për fundin e luftës. Raportohet sërish për sulme të shumta në Serbi, por edhe në Kosovë. Ndër to, burgu i Dubravës ka pësuar rëndë, ku, sipas burimeve zyrtare, janë vrarë mbi 100 shqiptarë të burgosur.”

Musliu vazhdon përjetimin e tij, duke përmendur një bisedë të rëndësishme me të afërmen e tij në Amerikë dhe përvojën e dhënies së një interviste për televizionin ABC, ku diskutoi për situatën e shqiptarëve në Beograd. “Nuk e di nëse do të ketë ndonjë pasojë nga kjo intervistë dhe çfarë do të jenë reagimet e regjimit,” shënon ai në ditar, duke treguar qartë tensionin dhe pasigurinë e asaj kohe të vështirë.

Aklademik Bexheti: Veprat e Musliut një pasuri historike për gjeneratat e reja

Fjalë rasti mbi opusin e veprave të Musliut pati edhe Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), akademiku Abdylmenaf Bexheti, i cili theksoi rëndësinë e këtyre veprave edhe për brezin e ri:

“Gjeneratat e reja, që janë rritur pas çlirimit të Kosovës, nuk e kanë idenë e periudhave sfiduese dhe përndjekjeve që përmbajnë këto vepra. Përmes këtyre librave, ata mund të njohin sakrificat dhe historinë e vërtetë të vendit,” tha ai kujtuar përvojat e veta si student në Universitetin e Prishtinës në vitet ’80, si dhe duke vënë theksin te nevoja për të ruajtur kujtesën historike.

“Ne si shoqëri lexojmë pak dhe harrojmë shpejt,” shtoi Bexheti. Sipas tij, puna dokumentuese e Musliut ka peshë në mbledhjen e fakteve në historinë kombëtare.

“Çdo gjë ishin në gjendje të na lejojnë, por të shkruajmë dhe të publikojmë, jo, ky është realiteti””, përfundoi Bexheti.

Bajrami: Gazetaria në udhëkryqin e detyrës etike dhe sigurisë personale

Komunikologu dhe Dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Demush Bajrami në cilësinë e recensentit, vlerësoi librin “Ditari i gazetarit shqiptar në Begorad”, si një pasqyrim të sfidave të të qenit gazetar “në kushte të rrezikshme”.

“Të jesh gazetar dhe publicist në një shtet që të klasifikon si armik dhe ushtron gjenocid ndaj popullit tënd të vë në një pozicion jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe moralish sfidues. Ky është një rol që e vendos gazetarin në udhëkryqin e detyrës etike, sigurisë personale dhe përgjegjësisë kolektive, duke bartur rreziqe të qenësishme si censura, burgosja, tortura apo edhe vdekja”.

Ai shtoi se ky është një rol që vendos gazetarin në udhëkryqin mes detyrës etike, sigurisë personale dhe përgjegjësisë kolektive, duke u përballur me rreziqe të larta si censura, burgosja dhe tortura.

“I tillë është edhe fati i gazetarit dhe publicistit shqiptar në Beograd, Fahri Musliu”, përfundoi Bajrami.

Neziri: Vepra të rëndësishme si dokumentim i historisë së re të shqiptarëve

Ndërkaq, analisti dhe gazetari Xhelal Neziri vlerësoi veprat e Musliut si dokumentim të historisë më të re të shqiptarëve, veçanërisht në librin “Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës”, ku autori përshkruan “terrorin shtetëror serb përmes detajeve për proceset gjyqësore kundër shqiptarëve në Serbi”.

“Veprat e Fahri Musliut janë dokumentim i historisë më të re të shqiptarëve. Kjo më shumë shihet në veprën PROCESET E KURDISURA KUNDËR SHQIPTARËVE TË KOSOVËS, ku dolumenton terrorin shtetëror serb nëpërmjet informatave për proceset gjyqësore individuale dhe grupore kundër shqiptarëve, të zhvilluara në gjykatat e Serbisë. Edhe në këtë aspekt ai gjen njerëz që kanë të shenjtë jetën e çdo njeriu , të vërtetën, të cilët u angazhuan për mbrojtjen e shqiptarëve nga këto procese, si Natasha Kandiq, Sonja Biserko dhe një listë e gjatë e luftëtarëve për të drejtat e njeriut”, tha Neziri.

Zaimi: Monografia për Bekim Fehmiun, vepër që “trondit”

Publicisti dhe kulturologu Bardhyl Zaimi, në fjalën e tij, u ndal tek monografia “Bekim Fehmiu-Odiseu i Kosovës”. Duke vlerësuar përmbajtjen dhe strukturën e veprës, ai e krahasoi atë me mjeshtërit e mëdhenj të monografisë si Stefan Zweig.

“Përtej definimeve teorike, sa herë që puna e do të flasim për monografi, mendja më shkon te Stefan Cfajgu, ky mjeshtër i monografive letrare, sidomos tek monografia e tij mbi shkrimtarin francez Honore de Balzak. Një monografi që të trondit, një jetëshkrim letrar që tejkalon definimet, konceptet dhe rregullat e ngurta. Njësoj të trondit edhe monografia “Bekim Fehmiu-Odiseu i Kosovës”, e gazetarit dhe publicistit, Fahri Musliu, me gjerësinë e faktografisë që sjellë, për gjithë ato shkrime të pafundme të mediave të ndryshme të rajonit dhe atyre ndërkombëtare mbi aktorin e përmasave ndërkombëtare, shqiptarin, që në asnjë rast nuk hezitonte ta theksojë përkatësinë e tij, në çdo vend, në çdo paraqitje të tij”, tha Zaimi.

Në përfundim, autori Fahri Musliu shpjegoi arsyet e orientimit të tij drejt ktyre veprave

“Gjatë vitit ’88, në Beograd, diskutonim për situatën në Kosovë, kur një avokat me prejardhje nga Prishtina më tha: ‘Fahri, ne i dimë këto, por a ke të shkruar diçka? Nëse ma gjen një libër, do të të falenderohem!’ Ky ishte momenti vendimtar që më inkurajoi të dokumentoj gjithçka”, tha Musliu, duke nënvizuar se “të vërtetat që dhembin, të shpëtojnë”

“Të gjitha këto libra janë me vlerë dokumentare dhe historike, por fatkeqësisht pa mbështetje nga institucionet e Kosovës. Asnjë nga këto libra nuk është financuar nga Qeveria e Kosovës apo ministria e Kulturës; tri libra janë mbështetur vetëm nga sponsorizime private”.

Musliu përmendi edhe masakrën e Suharekës, një ngjarje që e ndoqi për 94 ditë dhe për të cilën kishte përpunuar 9,500 faqe material, duke e reduktuar atë në 1,000 faqe dhe duke e përkthyer në gjuhën shqipe.

Ai gjithashtu foli për librin e tij “Proceset e Kurdisura” ku dokumenton të gjitha gjykimet që janë mbajtur në Serbi nga viti 1999 deri në 2001, për rreth dy mijë shqiptarë të transferuar nga Kosova.

“Askush nuk e dinte se ku ishin ata deri në gushtin e atij viti, kur Natasha Kandiq më informoi se Kryqi i Kuq kishte zbuluar se një numër i madh shqiptarësh ishin transferuar në Serbi,” përfundoi ai, duke theksuar nevojën për më shumë vëmendje dhe mbështetje për dokumentimin e historisë shqiptare.(KDP)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 29 Tetor, 2024 21:33