Serbia “shkel çdo kufi”, shpall Kosovën një zonë të mbrojtur dhe krijon gjykatë kundër shqiptarëve
Serbia po kërkon që të blejë sërish ndikimin e saj mbi serbët e Kosovës. Qeveria e kryeministrit Millosh Vuçeviç miratoi një projektligj, me të cilin pretendon se ka shpallur Kosovën një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale.
Me këtë lëvizje, Beogradi njofton se po kërkon që të parandalojë përjashtimin social dhe premton mbështetje financiare, siç thuhet, “me synimin për të mundësuar mbijetesën e serbëve dhe për të ruajtur trashëgiminë kulturore e historike”.
Qeveria serbe miratoi edhe një projektligj për ngritjen e një organi ligjor me prokurori dhe gjykatë që do të merret me çështje që prekin Kosovën. Mediat në Beograd patën raportuar më herët se ky organ gjyqësor do të dënojë këdo që në Kosovë do të digjte flamurin e Serbisë, por edhe për krime të tjera të supozuara që në fakt, në shumicën prej tyre, janë vepra që mund të kryhen nga shqiptarët e Kosovës.