Buxheti i vitit të ardhshëm së shpejti në Kuvend, pritet rritje ekonomike prej 3.7 për qind
Propozim-buxheti i vitit të ardhshëm së shpejti do të jetë para deputetëve në Kuvend. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pret rritje ekonomike prej të paktën 3.7% për vitin e ardhshëm.
“Pres rritje ekonomike prej 3.7% gjatë vitit të ardhshëm. Pres në tremujorin e tretë (të këtij viti) të lëvizim mes 2-3%, në tremujorin e katërt mes 3-3.5% dhe nuk do të habitesha nëse në tremujorin e parë vitin e ardhshëm me gjithë investimet e kompanive dhe investimet e shtetit, të arrijmë edhe 4%. Nuk do të habitesha nëse vitin e ardhshëm arrijmë 3.7 ose edhe më shumë sepse kështu më thonë treguesit për momentin”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kryeministri u zotua për rritje të pagave në shumë sektorë në vitin e ardhshëm.
“Në përgjithësi, pensionistët, në shëndetësi, arsim, policia dhe mbrojtja sigurisht fitojnë rritje sipas marrëveshjeve kolektive”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Zv.kryeministri Izet Mexhiti tha se fokusi është te decentralizimi i komunave, gjegjësisht më shumë mjete për zhvillim të komunave. Ai përmendi edhe projekte të tjera në interes të palës shqiptare.
“Në këtë buxhet do të ketë diku 250 milion euro për projekte infrastrukturore për të gjitha komunat ku hisen e tyre do ta marrin edhe komunat shqiptare. Po ashtu vendohet theks edhe mbi arsimin sepse është ndër prioritetet tona, jo vetëm me investimin te Nënë Tereza por po punojmë edhe në drejtime të tjera për ngritjen e cilësisë dhe të kapaciteteve edhe të universiteteve të tjera. Përveç Korridorit 8, theks është vendosur edhe në rrugën Shkup-Bllacë, edhe në proejktimin e tunelit apo në rrugën Tetovë-Prizren…”, deklaroi Izet Mexhiti, zv.kryeministër i parë.
Qeveria një ditë më parë i dha dritë të gjelbër Projekt Buxhetit të vitit të ardhshëm. Të ardhurat në buxhetin 2025 janë paraparë të jenë për 13 për qind me të larta se sa këtë vit, ndërsa shpenzimet për 10 për qind më të larta. Rritja ekonomike është planifikuar në nivelin prej 3,7 për qind, deficiti buxhetor në 4 për qind, ndërsa inflacioni në 2,2 për qind. /Alsat.mk