Përse progres-raporti i BE nuk flet për arrestime politike në Shqipëri?
Nga Ervis Iljazaj
Në mediat shqiptare sot është publikuar progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2024. Ky progres raport hedh poshtë të gjitha pretendimet e opozitës shqiptare se në Shqipëri Drejtësia po përdoret për të sulmuar opozitën duke arrestuar liderët e saj. Në asnjë rresht, në asnjë pjesë të saj, në mënyrë direkte apo indirekte, nuk thuhet se drejtësia në Shqipëri po përdoret për të sulmuar opozitën. Përkundrazi, një nga të paktat institucione që merr lëvdata është SPAK në luftën kundër korrupsionit.
Madje, në këtë raport-progres thuhet e kundërta, se është politika që bashkëpunon kundër drejtësisë duke votuar një amnisti që amniston njerëz të akuzuar për korrupsion dhe duke penguar punën e SPAK në këtë drejtim.
Dhe këtë raport BE e shpall pas vizitës së deputetëve të opozitës në Parlamentin Europian, që sipas tyre informuan kolegët se si SPAK po përdorej për arrestimet e liderve të opozitës. Nëse më parë ata ishin të painformuar, pas kësaj vizite informuese duhet të kishin shkruar diçka mbi shqetësimet e opozitës. E vërteta është se SPAK është një pjellë e tyre, për ngritjen dhe funksionimin e të cilit kanë harxhuar para nga taksapaguesit europian.
Duke u nisur nga ky fakt, opozita shqiptare e ka të kotë t’iu mbushë mendjen partnerëve të saj europianë se SPAK është një mashë në duar e qeverisë për të sulmuar opozitën. Është çmenduri të mendosh se BE do ti hapte negociatat një vendi ku liderat e opozitës arrestohen me urdhër politik të shefit të qeverisë. Nëse do të ishte kështu bie Bashkimi Europian dhe arsyeja se përse është krijuar.
Beteja e opozitës shqiptare kundër SPAK është një harxhim energjie e kotë pasi asnjë partner, asnjë aleat i Shqipërisë nuk do ta ndjekë në këtë pretendim. BE mund t’i japë Partisë Demokratike garanci për zgjedhje të lira, mund të dëgjojë çdo pretendim të saj për krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me pushtetin në Shqipëri. Por vetëm një gjë nuk do t’ja japë, çmontimin e SPAK, atë që PD e ka program elektoral për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Aq më tepër kur negociatat u hapën në Shqipëri edhe falë punës së SPAK dhe luftës ndaj korrupsionit. Në të gjitha raportet e BE apo të organizatave të tjera ndërkombëtare të besueshme, i vetmi institucion që përmendet për progresin që ka në punët e tij është SPAK. Lufta e Partisë Demokratike me këtë institucion është si lufta me mullinjtë e erës. Në fakt, është një luftë që po i humbet besueshmërinë opozitës çdo ditë e më shumë. Nuk ekziston asnjë parti në botë që luftën e saj kryesore e ka me institucionet e drejtësisë. Në këtë drejtim, sillet njësoj si pushteti dhe Edi Rama. Ashtu sikurse ky i fundit nuk i njeh vendimet e organeve të drejtësisë, siç janë ato të Gjykatës Kushtetutese, njësoj sillet edhe PD me prokurorinë posaçme duke e sulmuar çdo ditë dhe duke e kosnideruar si organizatë kriminale.
Prandaj, Partia Demokratike duhet të gjejë aleatë të tjerë për të çmontuar SPAK, sepse BE nuk e ndihmon dot për këtë qëllim. As popullin shqiptar se ka me vete, pasi rreth 70 përqind e tyre e mbështesin SPAK në punën e tij. I vetmi aleat që i ka ngelur PD-së për të çmontuar SPAK, është Edi Rama. Me këtë aleancë ka shanse reale që mund t’ja dali, pasi edhe nga pala tjetër nuk është se kanë shumë simpati për këtë institucion.