Sa galaktika ka në univers?
Vlerësimi i numrit të galaktikave në univers është tepër i vështirë. Edhe me teleskopët më të avancuar, shkencëtarët mund të vëzhgojnë vetëm një pjesë të kozmosit, të kufizuar në atë që njihet si “universi i vëzhgueshëm”. Ky rajon i vëzhgueshëm shtrihet rreth 46 miliardë vite dritë në çdo drejtim, pavarësisht se universi është 13.8 miliardë vjet i vjetër, për shkak të zgjerimit të tij të vazhdueshëm.
Sipas astrofizikanëve, ne mund të shohim vetëm 3% të universit, që do të thotë se vlerësimet tona më të mira mbështeten në mostra të vogla të qiellit. Për të llogaritur një total, shkencëtarët numërojnë galaktikat në pjesë të vogla dhe më pas e rrisin atë numër. Përcaktimi i asaj që cilësohet si galaktikë shton kompleksitetin, pasi galaktikat variojnë nga sisteme të mëdha deri te galaktikat e vogla xhuxh.
Duke përdorur llogaritjet konservatore, vlerësimet e mëparshme nga Teleskopi Hapësinor Hubble sugjeruan se mund të ketë “1 deri në 2 trilion galaktika” në universin e vëzhgueshëm. Sidoqoftë, studimi i anijes kozmike New Horizons në 2021-in e rishikoi këtë numër në rënie. Pa ndërhyrjen e ndotjes nga drita brenda sistemit tonë diellor, misioni zbuloi se nevojiteshin shumë më pak galaktika për të llogaritur dritën e vëzhguar kozmike. Ky studim sugjeron se numri i galaktikave mund të jetë më afër “100 deri në 200 miliardë”.
Pra, diapazoni i galaktikave në universin e vëzhgueshëm tani është midis “100 miliardë dhe 2 trilion”. Por për shkak se ne mund të vëzhgojmë vetëm një pjesë të vogël të kozmosit, totali aktual mbetet i panjohur. Nëse universi është i pafundmë, numri i galaktikave do të ishte gjithashtu i pafundmë. / Live Science – Syri.net