Veturat luksoze që zëvendësojnë popullin

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 31 Tetor, 2024 20:42

Veturat luksoze që zëvendësojnë popullin

Nga Mero Baze

Për herë të parë PD po “mekanizon” protestat e saj të mosbindjes civile, duke zëvendësuar popullin me vetura. Pasi dështoi protesta e tyre e parë në Tiranë, ku thirrën gjithë Shqipërinë dhe nuk mblodhën dot 500 vetë, vendosën të ndryshojnë procedurën e protestës.

Meqë populli nuk mblidhet kundër qeverisë, të përdoren veturat e deputetëve kundër popullit në kryqëzime.

Kështu, dje në gjashtë kryqëzime të Shqipërisë, “heronjtë” e vërtet të protestës ishin makinat luksoze të deputetëve.

Natyrisht në vend të parë për nga vlera e makinës mbetet Flamur Noka. Ai parkoi një Range Rover 200 mijë euro tek mbikalimi në Tiranë. Pastaj i kompleksuar nga çmimi i lartë i Range Roverit bëri sqarim që nuk ishte i tij, por i Lulzim Bashës. Në fakt ishte i të dyve, dhe i tij, dhe i ish- kryetarit të PD.

Por duhet thënë që Range i Flamurit është më luksoz se i të tjerëve.

E vetmja e metë e tij është se me të nuk shkon dot në Angli.

Në kryqëzimet e tjera po ashtu shquanin makinat luksoze të 16 deputetëve, të cilat bllokuan trafikun.

Kjo ishte një zgjidhje e mirë teknike e PD. Me këtë rast makinat bëhen të dobishme dhe bllokimi i rrugëve është më i lehtë.

Ky mekanizim i procesit të mosbindjes civile, duke zëvendësuar popullin me vetura, është efikas dhe shmang përballjen fizike të deputetëve me njerëzit që bllokohen në rrugë. Maksimumi dikush prej tyre mund të nxehet e të djegë ndonjë veturë. Por deputetët vet janë të sigurtë.

Problemi i vetëm është se kur të vijë dita e zgjedhjeve, populli do votojë deputetët dhe jo veturat e tyre. Po të kishte rëndësi vetura, natyrisht Flamur Noka me veturën e tij luksoze mund të ishte më i votuari në Shqipëri.

Puna është se ajo vetura luksoze e parkuar përballë qytetarëve që nxitojnë në hallet e tyre të përditshme, të heq dhe ato pak vota që të kanë mbetur për inerci.

Dhe i vetmi vend ku mund të fitojë pas kësaj PD, është tek panairi i veturave luksoze. Ai bëhet çdo vit dhe kanë më shumë shanse të fitojnë disa herë për katër vitet e opozitës.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 31 Tetor, 2024 20:42