Autoritetet bullgare demantojnë ministrin Nikollovski: Mos manipuloni për Korridorin 8
Takimi i mbajtur më 31 tetor të këtij viti për Korridorin 8 në Sofje ishte që të konfirmohen vetëm çështje teknike për rindërtimin e tunelit ndërkufitar Deve Bair, por autoritetet në Shkup e shfrytëzuan për mesazhe politike të cilat e dëmtojnë projektin, transmeton “Faktor BG“.
Sipas autoriteteve bullgare, bëhej fjalë për takim teknik midis dy drejtorëve të përgjithshëm të ndërmarrjeve për infrastrukturë hekurudhore të Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, por vetëm një ditë më vonë, pala e Maqedonisë ka publikuar se në takim janë pranuar “tre argumente kyçe” të zëvendëskryeministrit dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski.
“Fillimisht, duhet të ketë projekt të përbashkët për tunelin, që të mos ndërtohet tuneli i cili nuk çon askund, pastaj Bullgaria duhet ta përfundojë pjesën e saj të hekurudhës dhe e treta, të rishqyrtohet çmimi i cili është tejet i lartë”, kumtuan dje nga Ministria e Transportit.
Por, burime nga Ministria bullgare e Transportit, madje, theksojnë se në takim është biseduar dhe saktësuar vetëm çështje teknike për rindërtim të tunelit ndërkufitar Deve Bair, si dhe nevoja për zgjedhje të një realizuesi për gjithë objektin.
Nga atje thonë që Komisioni Evropian dhe institucionet e involvuara financiare evropiane janë të njoftuara me të gjithë çështjet për të cilat është biseduar në takim.
Potencohet se drejtori i përgjithshëm i ndërmarrjes bullgare për infrastrukturë hekurudhore nuk ka autorizim të negociojë ose të ndërmerr detyrime politike.
“Pala bullgare edhe njëherë qartë e shpreh qëndrimin e saj kategorik dhe të pandryshuar për rëndësinë e Korridorit 8 dhe bindjen e saj të fuqishme për domosdoshmërinë për ndërtimin e tij në kuadër të parametrave tashmë të konfirmuar. Nga paralajmërimet e njëpasnjëshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, edhe njëherë është e qartë se takim teknik shfrytëzohet për mesazhe politike”, transmeton “Faktor BG”.
Ndërtimi i hekurudhës për Bullgarinë në periudhën e kaluar u vu në pikëpyetje pasi zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit të vendit, Aleksandar Nikolloski, kundërshtoi haptazi vazhdimin e ndërtimit të seksionit të tretë (Kriva Palanka – Deve Bair), duke akuzuar Bullgarinë se nuk ka një projekt për Korridorin 8.
Deklaratat e tij, përveç Sofjes, morën reagime edhe nga i dërguari special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, i cili shprehu shqetësimin se qeveria e re në vend ka humbur interesin për zbatimin e projektit dhe se në vend të këtij korridori, prioritet i jepet Korridorit 10 në Shkup që lidh Austrinë, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.
Por, kryeministri Hristijan Mickoski më 7 tetor në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun e tij serb Millosh Vuçeviq, i cili ishte për vizitë zyrtare në vend, tha se Korridori 8 mbetet prioritet i Qeverisë së Maqedonisë.