BDI: Provimi vetëm maqedonisht për drejtorët e shkollave fillore, provokim i bashkëjetesës!

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Dhjetor, 2024 17:24

BDI: Provimi vetëm maqedonisht për drejtorët e shkollave fillore, provokim i bashkëjetesës!

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kërkojnë tërheqjen e amendamentit të që u miratua sot në Komisionin Juridiko-Ligjvënës, me të cilin provimi për njohjen e gjuhës maqedonase bëhet kusht për t’u bërë drejtor në shkollë fillore, përcjell TV21.

Nga BDI thonë se ky akt është “dëshmi e qartë e agjendës për të polarizuar shoqërinë dhe për të margjinalizuar komunitetet që nuk flasin maqedonishten si gjuhë amtare”.

“Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër vendimin e shumicës parlamentare, e cila në Komisionin Juridiko-Ligjvënës miratoi një amendament diskriminues në kuadër të Propozim-Ligjit për Arsim Fillor. Ky amendament, i propozuar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe i mbështetur nga deputetja e VLEN-it, parashikon si kusht për emërimin e drejtorëve të shkollave fillore dhënien e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase. Ky propozim është një sulm i hapur ndaj drejtuesve të shkollave që me sukses kanë kryer punën e tyre dhe një tentativë për të krijuar barriera të panevojshme dhe përçarje etnike. Në vend që të fokusohet në përmirësimin e cilësisë së arsimit, shumica parlamentare po vendos pengesa artificiale që nuk i shërbejnë interesave të nxënësve dhe mësimdhënësve”, thonë nga BDI.

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Dhjetor, 2024 17:24
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media