Reagim pas reagimi, Osmani: Ejani në zgjedhje t’i qartësojmë dilemat!

Flaka
Botuar nga Flaka 25 Janar, 2025 21:18

Reagim pas reagimi, Osmani: Ejani në zgjedhje t’i qartësojmë dilemat!

Instituti për Hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike ka përgënjeshtruar pohimet e BDI-së, se kanë mbështetje të dyfishtë nga të gjitha partitë tjera politike shqiptare bashkë.

Nga ky institut thonë se publikimet e BDI-së në Facebook më 24 janar, në mënyrë jo të besueshme i transmetojnë rezultatet e anketës së tyre të publikuar më 22 janar.

“Rezultatet në postimet e lartëpërmendura në asnjë mënyrë nuk mund të interpretohen si rejtingje partiake dhe nuk mund të merren si bazë për pohimet se një pjesë e konsiderueshme e popullatës mbështet BDI-në. Është e qartë e theksuar se bëhet fjalë për afërsi me partitë për vetëm një pjesë të të anketuarve, gjithsej 421 të anketuar (diçka mbi 40 përqind nga sondazhi i përgjithshëm), e dhënë e cila nuk është përmendur në publikimet e partisë politike BDI.”

Por, Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ka ironizuar me interpretimin e anketës, teksa ka bërë thirrje që zgjedhjet e parakohshme të qartësojnë dilemat.

“Çfarë gabimi paskemi bërë! Pyetjen “Me cilën parti jeni më të afërt” e paskemi lexuar si “Cilën parti e mbështesni.” Na falni për këtë interpretim kaq të vështirë për ta kuptuar! Ejani në zgjedhje t’i qartësojmë dilemat!”

Kanë reaguar edhe nga VLEN. Sipas tyre, Instituti për Hulumtime Sociologjike dhe Politike-Juridike demantoi anketën e BDI-së.

Nga VLEN thonë se është koha që BDI të përballet me pasojat e dështimeve të saj dhe të kuptojë se propaganda dhe manipulimi nuk janë më mjete të mjaftueshme për të mbijetuar politikisht.

Flaka
Botuar nga Flaka 25 Janar, 2025 21:18
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media