Ahmeti në takim te presidentja Osmani

Flaka
Botuar nga Flaka 29 Prill, 2025 20:04

Ahmeti në takim te presidentja Osmani

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, u prit sot në Prishtinë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe pati në fokus situatën politike në dy vendet tona, sfidat rajonale, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe zhvillimet shqetësuese në Maqedoninë e Veriut.

Z. Ahmeti falënderoi Presidenten Osmani për mikpritjen dhe e vlerësoi lart rolin e saj udhëheqës në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai uroi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe uroi formim sa më të shpejtë të institucioneve si dhe u dakordua  nevoja  për bashkëkomunikim dhe bashkëpunim më të ngushtë të qëndrimeve në mbrojtje të interesave të përbashkëta  dhe për ruajtjen e stabilitetit, paqes dhe integrimit euroatlantik në rajon.

Në këtë kontekst, z. Ahmeti ngriti shqetësimin e thellë për përkeqësimin e situatës politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët janë vënë në shënjestër nga një bosht hibrid politik-oligarkik me bazë supremaciste etnike dhe me një përfaqësim të inxhinieruar politik të shqiptarëve.

“Sot, shqiptarët po përballen me një ofensivë të rrezikshme që ka për qëllim zhbërjen e shtyllave të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. 

Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një instrument partiak që po anulon themelet e barazisë si gjuha shqipe dhe mekanizmat e balansuesit dhe badenterit. 

Kjo është një shkelje flagrante e barazisë ndëretnike,” theksoi z. Ahmeti.

Ai shtoi se dosja evropiane është lënë pas dore duke devijuar nga rruga e integrimit dhe bashkëjetesës. 

Për herë të parë, ide të rrezikshme alternative ndaj karakterit shumetnik dhe unitar të shtetit, siç parashihet në Marrëveshjen e Ohrit, po depërtojnë në diskursin politik kryesor.

Flaka
Botuar nga Flaka 29 Prill, 2025 20:04
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media