Pas braktisjes së Taravarit, nis lufta për resorët qeveritarë. Mickoski: Do të nominojmë emra të rinj

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Maj, 2025 14:22

Pas braktisjes së Taravarit, nis lufta për resorët qeveritarë. Mickoski: Do të nominojmë emra të rinj

Pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për t’u larguar nga Qeveria, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi sot se së shpejti do të publikohen emra të rinj për të zëvendësuar funksionarët e ASH-së në kabinetin qeveritar, shkruan Flaka Media

“Jam i autorizuar nga Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE që në periudhën në vijim të nominoj emra të rinj që do t’i zëvendësojnë ata që vendosën të shkojnë në përqafimin e Ali Ahmetit dhe të BDI-së”, theksoi Mickoski, duke e konsideruar largimin e ASH-së si një bashkim të heshtur me kundërshtarin politik shqiptar.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti në një konferencë për media, mohoi zërat për ndryshim të resorëve që më parë drejtoheshin nga ASH-ja, duke theksuar se ato do të mbesin në kuadër të VLEN-it.

“Nuk kam dëgjuar që VMRO-ja ka kërkuar një gjë të tillë, as në publik, as në takime. Këto janë spekulime”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se ende nuk është diskutuar për emrat e rinj dhe se kjo do të ndodhë pas konstatimit zyrtar të dorëheqjes së Arben Taravarit.

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Maj, 2025 14:22
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media