Elisa Spiropali pret Roberta Metsolën në Tiranë: Shqipëria e vendosur për anëtarësim në BE deri në 2030
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e cila ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian – një ngjarje historike që për herë të parë zhvillohet në Ballkanin Perëndimor.
Në takimin e zhvilluar paradite, Spiropali theksoi rëndësinë e samitit për Shqipërinë, rajonin dhe të gjithë kontinentin, duke nënvizuar se rezultati i fundit i zgjedhjeve konfirmon mbështetjen e gjerë të qytetarëve për rrugën europiane të vendit.
“Kuvendi do të vijojë të udhëheqë me vendosmëri procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030,” u shpreh Spiropali, duke falënderuar Parlamentin Europian për mbështetjen e vazhdueshme.
Ajo gjithashtu vlerësoi vendimin për hapjen e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë, si një tjetër sinjal i qartë i rolit të Shqipërisë në stabilitetin dhe integrimin europian të rajonit.
Ndërkohë, Samiti i Komunitetit Politik Europian po zhvillohet sot në Tiranë me pjesëmarrjen e 47 liderëve nga e gjithë Europa, ku në fokus janë çështjet e sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të rinisë.