Konferenca rajonale: Mexhiti thekson rëndësinë e investimeve në infrastrukturë të gjelbër

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Maj, 2025 12:59

Konferenca rajonale: Mexhiti thekson rëndësinë e investimeve në infrastrukturë të gjelbër

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, mori pjesë sot në konferencën me temë “Avancimi i Infrastrukturës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor”, ku nënvizoi se ndërtimi i infrastrukturës së qëndrueshme është një domosdoshmëri për të ardhmen, jo thjesht një zgjedhje.

Në këtë event rajonal, ku mori pjesë edhe Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, Mexhiti theksoi se infrastruktura e gjelbër përbën një sfidë globale që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes vendeve dhe institucioneve.

“Mënyra se si i formësojmë projektet tona të infrastrukturës ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, stabilitetin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike. Investimet strategjike që marrin parasysh rreziqet klimatike dhe biodiversitetin janë thelbësore për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, u shpreh Mexhiti.

Ai gjithashtu nënvizoi nevojën për integrimin e aspekteve klimatike dhe mjedisore në planifikim dhe vlerësim të ndikimit në mjedis, duke theksuar se kjo çon në vendimmarrje të informuar dhe afatgjatë.

“Ndërtimi i infrastrukturës rezistente ndaj goditjeve klimatike jo vetëm që mbron buxhetin publik, por siguron stabilitet dhe siguri për brezat e ardhshëm. Kjo përfshin menaxhimin e riskut, transformimin e sektorit energjetik drejt burimeve të rinovueshme, modernizimin e bujqësisë dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe qëndrueshmërisë së ndërtesave”, tha Mexhiti.

Konferenca u organizua nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Politika në Mjedis dhe Ndryshime Klimatike – IPECC Shkup, duke promovuar investimet e gjelbra dhe integrimin e tyre në strategjitë mjedisore rajonale. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Maj, 2025 12:59
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media