“Fake News”, Taravari mohon lajmin në Fokus, s’ka kërkuar hyrjen e BDI-së në qeveri!

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Maj, 2025 12:33

“Fake News”, Taravari mohon lajmin në Fokus, s’ka kërkuar hyrjen e BDI-së në qeveri!

Zhvillimet politike brenda koalicionit opozitar VLEN kanë marrë një kthesë të re pas raportimeve nga media se Arben Taravari, lideri i njërit prej krahëve të Aleancës për Shqiptarët, ka propozuar një marrëveshje me BDI-në për të larguar partnerët e tjerë të koalicionit nga Qeveria. Sipas burimeve të larta qeveritare të cituara nga portali “Fokus”, Taravari i ka sugjeruar kryeministrit Hristijan Mickoski të bashkëpunojnë me BDI-në e Ali Ahmetit, me qëllim krijimin e një qeverie më stabile dhe jetëgjatë, shkruan Flaka.

Megjithatë, sipas portalit në gjuhën maqedone, ky propozim nuk është pranuar nga Mickoski, ndërsa vetë Taravari ka reaguar duke e cilësuar informacionin si “shpifje të kulluar”. Në një prononcim të shkurtër për portalin “Flaka”, Taravari ka mohuar çdo kontakt të tillë me BDI-në që do të çonte drejt një marrëveshjeje politike:

“S’ka të bëjë me të vërtetën, është shpifje e kulluar,” ka deklaruar ai.

Edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti më herët ka theksuar se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e kësaj qeverie. Në një deklaratë të mëparshme, Ahmeti u shpreh: “Ne nuk jemi të interesuar të bëhemi pjesë e kësaj qeverie, sepse nuk jemi gomë rezërvë. Ne nuk jemi përfaqësues të anarkisë e revanshizmit, ne nuk veprojmë sipas instinktit, sepse jemi ndërtuar sipas ideologjisë kombëtare.”

Dorëheqja e Taravarit nga posti i ministrit të Shëndetësisë zyrtarizoi edhe kalimin e tij në opozitë dhe përçarjen e qartë brenda VLEN-it. Ngjarjet e fundit lënë të hapur shumë pyetje për të ardhmen e koalicionit VLEN, pozicionin e Aleancës për Shqiptarët dhe rolin që mund të ketë BDI në zhvillimet e ardhshme politike në vend. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Maj, 2025 12:33
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media