Mexhiti: Nga e nga VLEN “iku antivlera”, Sali: Jemi në një proces të pakthyeshëm!
Zyrtarët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti dhe Bekim Sali, kanë reaguar pas zhvillimeve të fundit politike brenda Aleancës për Shqiptarët, duke theksuar se rruga e ndryshimit vazhdon dhe se tentativat për ta ndalur janë të kota, shkruan Flaka Media
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, deklaroi se VLEN përfaqëson frymën e bashkimit dhe të një përfaqësimi politik të ndershëm dhe parimor, duke nënvizuar se koalicioni është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta nga Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike.
“VLEN është bashkimi rreth ndryshimit. VLEN është organizata politike që reflekton thirrjen e secilit shqiptar për përfaqësim politik cilësor. Është antipod i politikanëve të së shkuarës që kanë ndërtuar karriera me intriga dhe përçarje,” tha Mexhiti, duke shtuar se nga VLEN “iku antivlera”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti i Alternativës, Bekim Sali, i cili komentoi dorëheqjen e deputetit të ASH-së, Salim Sulejmani, duke e cilësuar si pjesë të një skenari të orkestruar nga Arben Taravari për t’u rikthyer tek BDI.
“Sado që përpiqesh ta mbulosh, e vërteta është e thjeshtë: je me Ali Ahmetin dhe BDI-në. Nuk ka sharje apo shpifje që e ndryshon këtë fakt,” shkroi Sali, duke shtuar se “as votuesi, as anëtarësia nuk ta besojnë më teatrin”.
Sipas tij, ndryshimi politik që ka sjellë VLEN është tashmë një proces i pakthyeshëm që do të vazhdojë, pavarësisht përpjekjeve për ta zbehur ose penguar.
Deklaratat e dy zyrtarëve të VLEN-it vijnë në një moment kur tensionet brenda koalicionit dhe brenda ASH-së janë thelluar pas vendimit të Arben Taravarit për t’u larguar nga Qeveria dhe nga VLEN. Flaka Media