Ne jemi Maqedonia me qytetarë të ndershëm – maqedonas, shqiptarë, turq, romë, serbë… VIDEO
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se qeveria e re vazhdon më e fortë dhe më e bashkuar në fazën e re të organizimit politik dhe institucional të vendit. Në një fjalim të mbajtur me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Unionit të Grave të partisë së tij, Mickoski dha një mesazh të fuqishëm që, siç theksoi ai, i drejtohet të gjithë qytetarëve të ndershëm – pa dallim etnie apo feje, përcjell Flaka
“Kjo nuk është një betejë etnike apo fetare. Nuk është as ideologjike. Kjo është një betejë bazike: në njërën anë janë banditët, dhe në anën tjetër është Maqedonia dhe të gjithë qytetarët e saj të ndershëm – maqedonas, shqiptarë, turq, romë, serbë, boshnjakë dhe të tjerë,” – u shpreh Mickoski.
Kryeministri tha se qytetarët janë të lodhur nga politikanët që përdorin “intriga, shantazhe dhe korrupsion” për të qëndruar në pushtet dhe theksoi se qeveria e tij do të jetë e përkushtuar ndaj parimeve, ndershmërisë dhe llogaridhënies.
“Qeveria vazhdon më e fortë dhe më e bashkuar në këtë fazë të re të organizimit tonë… Ne nuk do të bëjmë kompromis me krimin, me korrupsionin, dhe me ata që interesin personal e vendosin para atij shtetëror,” shtoi ai.
Deklarata e Mickoskit vjen në një kohë kur skena politike është tensionuar nga largimi i Arben Taravarit dhe debatet për ripozicionime politike në prag të formimit të institucioneve të reja. Flaka Media