Arrestimet në Strugë, ASH: Qeveria monoetnike po përdor aparatin shtetëror kundër shqiptarëve

Flaka
Botuar nga Flaka 19 Maj, 2025 09:36

Arrestimet në Strugë, ASH: Qeveria monoetnike po përdor aparatin shtetëror kundër shqiptarëve

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas arrestimit të aktivistëve Landi dhe Bardhok Kaba në Strugë, duke e cilësuar këtë veprim si një formë represioni politik dhe si tentativë për të heshtur zërat kritikë ndaj pushtetit aktual, përcjell Flaka

Në deklaratën e saj, ASH shpreh “indinjatën dhe revoltën e thellë për aktin e fundit të represionit politik ndaj aktivistëve shqiptarë”, duke theksuar se ndalimi i Landi Kabës është bërë mbi bazë të pretendimeve “qesharake” për kërcënime ndaj ish-deputetit Salim Sulejmani.

“Policia e Strugës ndaloi paqësisht aktivistin tonë, Landi Kaba, duke përdorur si arsyetim pretendime absurde. Ne e kundërshtojmë fuqishëm këtë qasje, e cila synon të hesht çdo zë kritik ndaj kësaj qeverie monoetnike,” thuhet në reagim.

ASH thekson se familja e Garip Kabës, një tjetër aktivist i njohur, është vënë nën presion psikologjik dhe kërcënime, duke theksuar se pushteti po tenton të shtrijë ndikimin e tij përmes frikësimit edhe në jetën private të shqiptarëve.

“Kjo qeveri ka humbur çdo legjitimitet moral dhe demokratik, ndërsa institucionet shtetërore po shfrytëzohen për t’iu frikësuar shqiptarëve të pakënaqur me padrejtësitë,” vijon reagimi.

Në fund të reagimit, Aleanca për Shqiptarët, me në krye Arben Taravarin, i bën thirrje qeverisë që të ndalë përdorimin e aparatit shtetëror si mjet represioni ndaj shqiptarëve dhe u kërkon përfaqësuesve shqiptarë në qeveri që të distancohen nga këto politika, përndryshe “do të dënohen nga vullneti popullor në zgjedhjet e ardhshme.” Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 19 Maj, 2025 09:36
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media