Fetai: Mbledhja ku u shpall vendimi për largim nga Qeveri, një cirk i pastër politik
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka komentuar në emisionin Click Plus në TV21 largimin e Arben Taravarit nga Qeveria, duke theksuar se refuzimi i tij nuk kishte të bënte me kreun e partisë, por me mënyrën dhe përmbajtjen e vendimit të marrë.
“Nuk i thashë ‘Jo’ kryetarit, i thashë ‘Jo’ një plani që nuk është plan i Aleancës për Shqiptarët”, deklaroi Fetai.
Ai kritikoi ashpër mënyrën se si ishte thirrur mbledhja ku u shpall vendimi për largim nga Qeveria, duke e quajtur “një cirk të pastër politik”.
“Nuk ishte mbledhje e kryesisë, ishte një format i shpikur ku merrnin pjesë anëtarë të kryesisë, funksionarë dhe kryetarë degësh. Ky format nuk ekziston askund në statutin e partisë. Organi i vetëm që mund të marrë vendime të tilla është Kuvendi i partisë”, u shpreh Fetai.
Ai theksoi se vendimi nuk kishte kaluar përmes procedurave statutore dhe nuk ishte legjitim.
“I thashë Jo një vendimi që nuk është vendim. Vendosa të mos legjitimoj një cirk”, përfundoi Fetai.
Këto deklarata vijnë në një moment tensioni të lartë brenda Aleancës për Shqiptarët, e cila ndodhet në një periudhë përçarjeje pas daljes nga Qeveria. Ndërkohë, një pjesë e funksionarëve të ASH-së, përfshirë Fetain, vazhdojnë të mbajnë pozicionet qeveritare. Flaka