Saliu: Shqiptarët nuk kanë nevojë për justifikues të kryeministrit, por për përfaqësues dinjitozë

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Maj, 2025 17:27

Saliu: Shqiptarët nuk kanë nevojë për justifikues të kryeministrit, por për përfaqësues dinjitozë

Gazetari dhe analisti politik Urim Saliu ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të disa partive shqiptare në qeverinë aktuale, duke e konsideruar të papranueshëm pozicionimin e tyre inferior në raport me kryeministrin maqedonas. Në një reagim publik, Saliu theksoi se nuk është fjala për mbrojtje të një partie të caktuar, por për denoncim të një qëndrimi përulës dhe të rrezikshëm për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Të jesh partner shqiptar në një koalicion me një parti maqedonase është e pashmangshme, por të mos flasësh para kryeministrit dhe të qëndrosh gjithnjë në pritje të fjalës së tij është një përulje që fyen votuesit e tu”, deklaroi Saliu.

Ai kritikoi përfaqësuesit shqiptarë në qeveri për mungesë zëri kritik, ndërkohë që, sipas tij, e gjithë vëmendja shkon në arsyetimin e veprimeve të kryeministrit.

“Është e tmerrshme të arsyetosh nga mëngjesi deri në darkë një kryeministër vetëm për të mbetur në pushtet, ndërkohë që sulmon dhe etiketon vetëm politikanët shqiptarë”, theksoi Saliu.

Ai shtoi se heshtja ndaj aferave të politikanëve maqedonas dhe përqendrimi vetëm te kritikat për figurat shqiptare, është ose frikë, ose shantazh, ose injorancë politike.

Në komentet e tij, Saliu vlerësoi se situata aktuale politike ka nxjerrë në pah dobësitë e koalicionit VLEN, duke e cilësuar atë si pasardhës të një përfaqësimi të dështuar.

“E keqja e shqiptarëve padyshim që ka qenë BDI, por për 11 muajt e fundit kjo nuk është më. Sot e keqja është VLEN”, tha ai.

Ai përmendi se shqiptarët nuk janë vetëm një grusht individësh që përfitojnë nga pushteti, por një popull që e ndjen çdo ditë pasojën e përfaqësimit të dobët.

Sipas Saliut, qytetarët shqiptarë kanë larguar nga skena politike edhe parti më të forta, dhe do të vazhdojnë të ndëshkojnë çdo përfaqësues që përzien interesin personal me atë kombëtar.

“Shqiptarët kanë nevojë për përfaqësues që i udhëheqin me dinjitet dhe jo që justifikojnë një kryeministër që flet për shqiptarët si të ishin të gjithë të korruptuar, përveç atyre që ka në qeveri”, përfundoi Urim Saliu.

Deklaratat e tij vijnë në një periudhë të tensionuar politike, ku roli dhe zëri i partive shqiptare në bashkëqeverisje është vënë në pikëpyetje nga opinioni publik. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Maj, 2025 17:27
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media