VLEN pa 4 deputetë të ASH-së, por Mexhiti thotë se struktura e ASH-së mbetet pjesë e VLEN-it
Sipas tij, ka devijuar vetëm lideri i ASH-së, Arben Taravari, për të cilin thotë se mund ta kuptojë veprimin e tij, vetëm nëse i ka borxh Ali Ahmetit, përcjell Flaka
“Edhe në të kaluarën, edhe tash kemi të bëjmë me atë që ASH-ja mbetet e përcaktuar aty ku ishte. Si pjesë e VLEN-it, si pjesë e ndryshimeve. Ka hise, ka kontribut në atë fitoren e VLEN-it. Ka kontribut në ndryshim, në rrotacionin politik që ndodhi, këtu ka devijuar lideri i tyre, të cilin mund ta kuptoj nëse i ka borxh z.Ahmeti, por nuk duhet pra edhe gjithë të tjerët për shkak të kësaj të devijojnë nga rruga”, tha mes tjerash Mexhiti.
Megjithatë, ky konstatim bie ndesh me zhvillimet konkrete në Kuvend, ku grupi parlamentar i VLEN aktualisht përbëhet nga 10 deputetë, duke mos përfshirë katër deputetët e Aleancës për Shqiptarët, të cilët pritet të funksionojnë si grup i veçantë parlamentar.
Kjo situatë tregon për një përçarje të qartë brenda bashkëpunimit të deritanishëm dhe sjell në pah tensionet e brendshme politike në radhët e partive shqiptare që deri dje ishin bashkë në qeveri. Flaka