Mickoski nga Zhelina: Zhvillim i barabartë për të gjithë

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Maj, 2025 16:52

Mickoski nga Zhelina: Zhvillim i barabartë për të gjithë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë një vizite në Komunën e Zhelinës, ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për zhvillim të barabartë në të gjitha rajonet e vendit, pavarësisht përkatësisë etnike apo gjeografike, transmeton Flaka

Në prani të kryetarit të komunës dhe ministrave, Mickoski uroi për punën e palodhshme dhe të përkushtuar të udhëheqësisë lokale, duke theksuar se projektet që po realizohen janë dëshmi e angazhimit konkret për qytetarët.

“Falënderoj secilin që mbështet punën e kryetarit të komunës. Projektet që shohim sot janë dëshmi se ai po e kryen shkëlqyeshëm punën e tij. Falë mbështetjes nga Qeveria dhe Kuvendi, Zhelina do të përfitojë më shumë se 3.3 milionë euro për projekte infrastrukturore, nga të cilat 2.5 milionë vetëm në thirrjen e dytë”, deklaroi Mickoski.

Ai potencoi se këto investime janë në përputhje me nevojat reale të qytetarëve dhe të ekonomisë kombëtare, duke nënvizuar se nuk do të ketë ndarje në bazë etnike apo rajonale.

“Detyra jonë si Qeveri është të sigurojmë kushte të barabarta dhe të drejta për zhvillimin e të gjitha pjesëve të territorit të shtetit – pa marrë parasysh nëse atje jetojnë maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllehë, serbë apo boshnjakë”, tha ai.

Mickoski përfundoi fjalimin e tij me garanci për zhvillim të barabartë:

“Derisa unë jam kryeministër, garantoj zhvillim të barabartë për çdo metër katror të territorit të Maqedonisë.”

Vizita në Zhelinë ishte një ndër ndalesat në kuadër të promovimit të projekteve të reja infrastrukturore që pritet të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve në këtë komunë dhe më gjerë. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Maj, 2025 16:52
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media