Mickoski tregon se ku do të harxhohen mjetet nga Marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, konfirmoi sot gjatë një deklarate për media se Marrëveshja për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar do të nënshkruhet zyrtarisht në Londër nga zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit qeveritar, përcjell Flaka
Në delegacionin maqedonas, përveç Nikolloskit, marrin pjesë edhe ministri i Transportit, ministri i Mjedisit Jetësor, ministrja e Arsimit, si dhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.
“Dokumenti do të nënshkruhet sot dhe më pas do të dërgohet në Parlament për shqyrtim dhe miratim. Ne nuk veprojmë në fshehtësi, gjithçka është transparente dhe pa keqpërdorime të flamurit evropian”, tha Mickoski.
Ai bëri të ditur se Marrëveshja përfshin një sërë projektesh strategjike dhe investimesh madhore për vendin, mes tyre:
• Ndërtimi dhe modernizimi i linjës hekurudhore Tabanoc – Gjevgjeli;
• Përfundimi i Qendrës Klinike në Shtip, së bashku me ndërtimin e Fakultetit të Mjekësisë dhe konviktit studentor;
• Ndërtimi i Spitalit të ri në Kërçovë dhe një qendër shëndetësore shtesë;
• Rikonstruksion i plotë i Spitalit Klinik në Tetovë.
“Ky është vetëm fillimi, pasi kemi ende rreth 60% të mjeteve në dispozicion për projekte të tjera. Kështu ndërtohet shteti – jo me praktikat e së kaluarës kur gjithçka vidhej”, theksoi kryeministri Mickoski.
Ai shtoi se partneriteti me Britaninë e Madhe është dëshmi e kursit të qartë evropian dhe angazhimit për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në të gjitha fushat kyçe për qytetarët. Flaka